Muharrem KOSUMI, prof
ÇELËSI PËR ZBËRTHIME ESEISTIKE DHE ESTETIKE
Mehmetali Rexhepi “THURJA E MODELIT”; Shtëpia botuese Lena Graphic”, Prishtinë, 2021
Libri në fjalë i poetit, këtu eseistit të mrekullueshëm, Mehmetali Rexhepi, është botuar, më 2021. Mua më është dhuruar para dy-tre muajve. Pasi si vonë e lexova, vendosa të shpreh kënaqësinë time për veprën e përsosur: “Thurja e modelit!” Nuk do ta ri-thurja këtë model artistik, pos që do të jepja një përshtypje nga leximi, të cilit ia dola. Voluminoz mjaft, por u ndava i lumtur.
Të shkruash për librin e botuar të Mehmetali Rexhepit, të duhet pak qetësim, pak besim në vete, sepse ke punë me një poet, me një estet, me një eseist, me një profesor, që fjalët nuk i ka në xhep, por n’ dorë…
Paragrafin që sajova, jo që vetes ia pranova, por me të filluar leximin e librit, më rrëshqitën ca pika djerse në ballë. Nga ta gjeja atë sens imuniteti për ta përballuar atë nomenklaturë ndjeshmërie me plot figura arti, që secila syresh të ngrohë dhe të joshë; andaj,ose mos fillo fare që ta qesësh para aktit të kryer atë autor ose veten si dezertor.
Megjithatë, do të përpiqem ta zbuloj çelësin zbërthyes për autorë dhe, ta hap Arkën e Noit (Nuhit)…
Arka e Noit, ishte shpëtimi i shenjtërisë shpirtërore, ku brenda saj, secili gjen shenjtërimin e vet; ku secili merr e jep sipas kontestit dhe kapacitetit të vet. Po një këtu është, besa edhe si kryesore, ku eseisti Mehmetali Rexhepi, lëre që nuk u hyri autorëve në hak, por me penë e ndokund me brushë, lidhshmëritë e tyre përmbushë.
Para se t’ia filloja leximit, i lexova titujt. Titujt e autorëve, që kanë shkruar dhe, kjo dhunti arti i ra hise kritikut tonë letrar, i cili, sipas bindjes sime, ia doli me shkathtësi, me latim dhe ndoshta ndokund edhe ndonjë grimcë sugjerimi, për të mos thënë-qortimi.
Libri është mjaft voluminoz, ka 420 faqe-si rrumbullakim. Ka 22 autorë, që për mua, tash më dalin për të shkruar për 23 veta.
Libri në fjalë titullohet: “Thurja e modelit”.
Modeli këtu na del si njëjës, apo si singularia “tamtum” në mos paça harruar…Andaj, autorit të librit i është dashur të futej në mishërimin fizik-psikik të autorëve paraprak, gjë që, lëre që ia ka dalë, por edhe mua si lexues më ka inspiruar e mishëruar në gjakimin e tyre artistik. Nuk më përket mua t’i shkoja varg e vi analizës, sepse as mundem të dal ku eseisti Mehmetali Rexhepi ka dalë, por edhe po të dilja atje, kap tjetër tretman, trajtimin e polemikës, kundërshtisë; me një fjalë një dis-harmoni e papëlqyeshme. Nuk ka lënë vend askund, që unë ta plotësoja. Mikut tim prof. Mehmetali Rexhepit, do t’i thosha se edhe vetë Rexhep Qosja do t’ia kishte lakmi një përkufizimi të tillë, siç ka bërë kritiku ynë në fjalë.
Librin e tij autori e fillon me “Lufta si absurd njerëzor”, përkatësisht “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit”, shkruar nga Erich Maria Remarque. E.M.Remaque pohonte se në luftë viktima e parë është realiteti, kurse te ne thuhet: gjatë luftës gënjeshtra ecën vetë.
Ndoshta nuk do të isha pajtuar, pse eseisti ynë, Mehmetali Rexhepi ka nxjerrë si prijatar libri këtë shkrimtar, ani pse libri, po të mos ishte i ngjeshur me vlera artistike, nuk do të ribotohej e përkthehej aq… Megjithatë, e lidha veten kur përmenda Arkën e Noit, pra të jetë kjo përputhshmëri e rastit, sepse edhe në kohën e Noit, nisi apokalipsi, që këtu na dalka si luftë…
Libri vazhdon me poetin kombëtar, Bacë Adem Demaçin, ku i lartësuari Selatin Novosella, shkroi më së shumti për Bacën. Ai iu rrek të mblidhte çdo krijim artistik, qoftë poezi ose prozë dhe t’i sintetizonte në një vëllim të vetëm, si krijime gjithë autorësh. Zotëri Selatin Novosella mblodhi shënime, dha edhe vetë krijime autentike, mirëpo, sitjen dhe përkushtimin artistik-shpirtëror, përkatësisht eseisti ynë e qëmtoi me ngjyrat e shpirtit vetjak, normalisht, pa e dëmtuar Novosellën, pa iu futur në hak.
Brenda shtjellimeve të librit “Thurja e modelet” ndeshim profesorin e gjuhës frënge, përkatësisht Shefik Shkodrën, i cili me përkushtimin më të lartë dha dy figura arti, që njëra i takon botës shqiptare, kurse tjetra një bote të harmonizimit pa kurorë…
Lidhshmëria e tyre, pos asaj e qëllimeve artistike, na jepet edhe ajo e shtresës shoqërore… Konica një aristokrat dhe po ashtu Gijom Apoliner, bir i një konteshe polake, natyrshëm që lidhshmëria nuk do të jetë vegë, por nyje, nyje e ngjasimit përrallor: të dy të aftë, të dy veshur me elegancë, të dy poliglotë, pos që dallonin në plagë të luftës shpirtërore…Gyjom Apoliner i plagosur në kokë, kurse Faik Beg Konica në zemër…
Ashtu identik vazhduan edhe jetën deri në vdekje, duke imituar dhe admiruar njëri-tjetrin…
Për Faik Konicën, analitiku Mehmetali Rexhepi na sugjeron se Faik Konica mbetet një arkiv ende i pa eksploruar dhe besoj, që ka shumë të drejtë. Kompletin e Faik beut e kam lexuar, po nuk më është dukur se kapte ndonjë peshë artistike letrare. Përkundrazi, duhet pranuar se njihte shumë gjuhë, punoi shumë nëpër të gjitha shtëpitë e botës botuese, duke mos lëshuar nga goja mallin për Atdheun.
Në Arkën e Noit, tashmë kemi një djalosh të ri, pikërisht i fshatit ku unë jetoj dhe, padyshim një shok i përbashkuar i autorit në fjalë, Mehmetali Rexhepit. Një çun që ende pa mbërri adoleshencën e duhur, entuziazmoi publikun me poezitë e tij.
Alush Canaj përngjet me Anteun, që nuk guxojnë ta lënë të rritet e të burrërohet. As lajkat e pushtetarëve, të cilët e pranuan në shkollën politike në Beograd, nuk do të kenë sukses; përkundrazi, iu bë edhe më e ditur për masat dhe maskat e tyre… “Personaliteti i Alush Canajt, as nuk u josh nga kulaçi, as nuk u prapësua nga kërbaçi i asimilimit jugosllav”, thotë profesori Mehmetali Rexhepi.
Në veprën madhështore “Thurja e modelit”eseisti Mehmetali Rexhepi ka meritën, sepse dritësoi ajkën metaforike brenda veprës në fjalë.
Gjallëri e veçantë është t’i përthekosh të gjithë ato figura, që secila lot më shumë se një rol atraktiv. S’do mend se nuk do t’i numërojmë një për një të gjitha ato figura, pos atyre të cilat edhe si dubliale luajnë role të dyfishta… Po ashtu, si të dubluara kanë aftësinë e ri-transponimit të veprimeve, me të cilat na bëjnë të besojmë në aftësitë e tyre (kupto,autoriale); për deshifrimet e figurave të zgjedhura dhe, po ashtu, edhe sublimi i eseistit, që nuk u kursye në përimtimin e rrjedhave të atyre ndajshtimeve.
Figura e gjarprit, jo rrallëherë ka magjepsur poetët… Disa për një anë e, ka edhe raste ku e njëjta figurë, këtu gjarpri të ketë luajtur edhe anën tjetër. Te poezia e Sarë Gjergjit, gjarpri ishte futur në Kopshtin e Edenit, për t’i helmuar dy-prijatarët e njerëzimit; kurse kohë më vonë, pikërisht gjarpri ishte futur në Varkën e Noit për ta shpëtuar njerëzimin. Në Barkën e Noit gjarpri kishte luajtur rolin shpëtues të tërë njerëzimit. Gjarpri si gjallesë dhe këtu si figurë, dy herë ndërroi lëkurë, ashtu siç njëmend ndodhë në jetën e tij, por neve na takon ta gjejmë se cila ishte lëkura e helmatisur dhe cila e pa-helmët.
Brenda këtyre tri decenieve është modifikuar kjo figurë, çka ngërthente më parë tash nuk është kështu. Pra, ngjitja me një shpejtësi shkallëve teologjike! Vras mendjen, përse kjo kështu?! Te të gjithë këta autorë nuk “shpëtova” pa hasur lutjet: “O Zot!”, “Ruana Zot!”,”Dashtë Zoti!” Pra, tash vuaj ta gjej të domosdoshmen: a thua jemi para aktit të pamundshëm, që t’ia dalim dhe kërkojmë ndihmën? Mos vallë jemi dorëzuar nga rrethanat dhe tërë peshën që bartim, të gjitha gjestet, t’ia përcjellim qiellit?! E qiellit, çka do të thoshte? T’i largojmë sa më larg, jetuan a vdiqën, (ne tash nuk e dimë), por dimë që kemi “mbaruar” punë, që kur i larguam…Që kur mbarova së lexuari këtë vepër të shumëfishtë vlerash dhe llojesh: poezi, prozë, eseistikë, besa edhe një roman i zonjës Linditë Ramushi-Dushku, vendosa ta falënderoja autorin e librit në fjalë “Thurja e modelit” dhe gjithashtu, të gjithë ata autorë që yshtën eseistin, prof. Mehmetali Rexhepin të shkruajë këtë vepër voluminoze! Falënderoj autorët, që pena e tyre dritësoi thelbin artistik! Pa asnjë qëllim seleksionimi, mund të them se gjeta kënaqësinë shpirtërore, ani se faji im ishte, që pak kam lexuar nga autorët në fjalë.
Kënaqësi e veçantë ishte kur edhe heshtjes eseisti Mehmetali .Rexhepi ia gjeti dhe ia zbërtheu kodin këtij perimetri artistik. Shumëkush mundohet t’ia zbërthejë këtë KOD si veçanti arti, por rrallëkush shpëton pa u lagur, ndër ta i pari-unë…
Edhe hëna edhe dielli heshtin, heshtë i tërë qielli, por nga heshtja e tyre përfiton poet-miri, kështu disi shkruan analisti ynë Mehmetali Rexhepi. Nuk i futa në thonjëza këto shprehje, ngase i droja përpikërisë origjinale. Pra, përse po fituaka poet-miri? Fiton dhe do të fitojë, sepse pikërisht ky heshtjes i hap gojë, ky heshtjen e vë në lëvizje me amplitudat e tij dhuratë nga arti.
Në gurrën popullore heshtja kap kuptimësi të dyfishtë:
1.të mençurisë së veçantë,
2.të pa mençurisë.
Këshilla e përfillshme e pleqve:! “Lum si ai, i cili di se kur duhet të heshtësh!…
Mirëpo, edhe këtu profesor Meti, një rrjedhshmëri gjeti: “Heshtja nuk ka formulë për destinacion.”
Ka raste kur heshtja mund një stad fjalësh, mirëpo, edhe ky varg thatanik: “O eja o lere verën të vijë” i poetit Sabit Rrustemit përthekon hiperbolë të tejshkuar qiellore, si nga bukuria, si nga aftësia psikofizike; ngaqë paska edhe aso bukurish, që mund ta ndalin verën të mos vijë…!
Kjo nuk është heshtje, por as britmë jo, kjo është ajo që kërkon një roman fjalësh dhe, i mbetesh borxh thënies…
Për lirinë, në vrojtim të parë, të dukët si lojë fjalësh me guralecë, por poetët e thuktë nga fjalët e thjeshta, si (Agolli e shumë sish…) ndërtojnë piramida arti, për shembull:
“Po ta kisha lirinë,
Një shul, një qen dhe një mur do të më mungonin.”
Pra, kur ke lirinë, nuk të duhet shuli për ta mbyllur derën, nuk të duhet qeni për ta ruajtur shtëpinë dhe, nuk të duhet muri për t’iu ruajtur hajnisë. Kjo është ajo e thjeshta që përfshinë të përgjithshmen.
Brenda librit “Thurja e modeli” pata fatin t’i lexoja pak më shumë se këta të tjerët: Prend Buzhalen, Selatin Novosellën, Anton Nikë Berishën, Avdush Canajn, Nexhat Rexhën.
Për Prend Buzhalën nuk shkrova, ngase do mbetja nën hijen e profesorit, eseistit, poetit Mehmetali Rexhepit, por e di që të dytë më kuptojnë. Te Nexhat Rexha, që ka lëruar çdo lloj fushe letrare, kam bindjen se është i merituari për çdo fushëveprim.
Në librin për të cilin po bëhet fjalë vlen ta përmendim Kodin historik të Akilit dhe drithërimën e parandjenjës, së një rreziku bërthamor brenda universit tonë! Shihet që poeti, tregimtari dhe kritiku letrar Nexhat Rexha, ka mbi supet e veta frikën e përgjithshme kombëtare, universale, jo atë individuale.
Koretin-Dardanë, mars-prill 2022