BUSULL E REUMËS
Mehmetali Rexhepi
syzat e reve dioptri e bashkave mbi sy
të lajthisin hap-mbylljet e ombrellës
nuk mbuloheshin ece-jake prej pikash
kahja vertikale e rënies harkohej në pjerrtësi
ritmi i lashtë ua plandoste fotosintezën
trotuareve alesë gjetheve me të verdhën
syzave mbështillen të përhiturat zymti
zjarrin e qiellit e gëlltit sfungjeri i avujve
një flutur e bardhë mbi krahët e saj
bartte peshën e së verdhës
krah-shpuar prej të plumbtave pika
viktimë e dorëzuar sorrëshkinave
*
syzat avullore pa korniza pa vegë për veshë
kur të duash nuk mund t`i heqësh as t`i vësh
ritmet e përhitura fshehin rrotullimet e sipër-shfaqjeve
hije të ftohta pikat të ngrira faqeve
ndërmjet zjarresh akujsh prushit e erës
frymuan mësymjet tej shtrirjes së shkujdesur të verës
deri këtu mandatin nuk e kishte reuma
para mësymjes hapat u futën në një dendësi mjegullash
u shurdhua kumti për ndodhjen pezull
përpara shkasit të rrembave të zhveshur
ji kurdo herë nën çati të kokës
derisa nën shtylla të eshtrave rrjedhin damarët e tokës
*
tetësheve të ecjes me bastun i drejtpeshuar
i vure syrin durimit se si nxjerr shkulma të shkumës
sërish i yshtur pas furtunës
kur do t`i prekë jonet e vatrës busull e reumës
*
nën çatinë e realitetit
ndoshta nuk do t`ia nënshkruash disfatën vetit
Gjilan, tetor 2020