Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka pritur në një takim pune komandantin e KFOR-it turk në Gjilan (LMT), Hakan Derican, me të cilin kanë bashkëbiseduar për mundësinë e bashkëpunimit në mbështetjen e femrës në shoqëri dhe krijimin e lehtësirave shtesë në angazhimin e saj në aktivitete të ndryshme që kanë qëllim përmirësimin e pozitës së saj në shoqëri.
Me këtë rast kryesuesja Bunjaku-Rexhepi, e ka informuar delegacionin e KFOR-it me gjendjen në përgjithësi sa i përket Kuvendit të Komunës dhe përfaqësimit gjinor atje, por gjithashtu edhe për pozitën e femrës në përgjithësi në Komunën e Gjilanit.
“Kuvendi i Komunës ka në përbërjen e vet një numër të konsiderueshëm të femrave si këshilltare komunale. Gjithashtu, me mbështetjen e kryetarit të Komunës është themeluar edhe rrjeti jo-formal i grave ndërmarrëse, pastaj poashtu kryetari Haziri ka nxjerrë vendimin për zbatimin e rekomandimeve të Komitetit për Barazi Gjinore, që ka qëllim mbështetjen dhe përkrahjen specifike të femrës kryesisht në zhvillimin ekonomik dhe në agro-biznes, por gjithashtu me angazhim të Komunës dhe në mbështetje nga Bashkimi Evropian është duke u punuar strategjia për zhvillimin e bizneseve të udhëhequra nga gratë. Edhe sa i përket punësimit në kushte të barabarta gjithnjë janë mbështetur femrat, sepse pa femra të fuqishme nuk ka as familje të qëndrueshme dhe as zhvillim të institucioneve”, ka thënë, Bunjaku-Rexhepi.
Ajo më tej ka ofruar gatishmërinë e plotë të Kuvendit të Komunës në projekte të përbashkëta me KFOR-in Turk me qëllim të përkrahjes së femrës në shoqëri.
Nga ana e tij, komandanti i KFOR-it Turk, Hakan Derican, nga njësia LMT në Gjilan, ka kërkuar nga kryesuesja që të dërgojnë projekte që kanë qëllim pozitën e femrës dhe përmirësimin e saj, në mënyrë që avancimi i mëtejmë të jetë edhe më i lehtë, karshi një regjioni që është mjaft i qeti në nivel vendi.