Kuvendi komunal me 22 vota të këshilltarëve në seancën e fundit ka aprovuar propozim vendimin për taksën e qëndrimit në kapacitetet strehuese në territorin e komunës së Bujanocit.
Sipas këtij propozimi –vendimi taksat e hotelerive për persona juridik nga 60 dinarë është rritur në 100 dinarë dhe për persona fizik nga 40 në 50 dinarë, taksa këto të cilat derdhen në buxhetin e komunës së Bujanocit.
Në raportin e organizatës turistike (ndërmarrje publike) thuhet se në vitin 2016 sipas arkëtimit të taksës ka pasur rreth 1240 bujtje në Bujanoc prej të cilave janë grumbulluar 62 mijë dinarë dhe ka shënuar rënie në krahasim me vitet e kaluara.
“Numri i përgjithshëm i kapaciteteve strehuese dhe amvisërive të cilat merren me shërbime hotelerie janë 182 dhoma, 472 shtretër dhe 37 subjekte”, është shprehur për Titulli.com, Amet Kadriji, drejtor i organizatë turistike në Bujanoc.
Ai tha se për mbledhjen e taksave nga këto shërbime i është besuar inspeksionit republikan për turizëm.
Ameti theksoi se ka mungesë të inspektorëve komunal që mundë të bëjnë kontrollo më të mëdha dhe në këtë mënyrë mblidhen taksa më shumë në buxhetin e komunës së Bujanocit./Titulli.com/