Zhvillimet e reja politike në Luginë të Preshevës, rezultojnë jo vetëm me ndryshimet në qeverisjet lokale, por edhe në ato qendrore e nacionale. Në fokus të këtyre ndryshimeve po gjendet Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, i administruar nga Qeveria e Serbisë.
Tashmë të gjithë e dinë se një puç partiak do të ndodhë në institucionin më të lartë politik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, i cili këto dy vjetet e fundit ishte i stërmbushur me mangësi, parregullsi dhe papërgjegjësi.
Elementi përçarës
Këshilli Nacional i Shqiptarëve, në Luginë të Preshevës, është organ reprezentatues, i themeluar, më vitin 2010, sipas ligjeve të Serbisë.
Në mandatin e parë katërvjeçar 2010 – 2014, në formimin e këtij institucioni nuk morën pjesë të gjitha partitë politike shqiptare. Nga 7 subjekte politike vetëm 2 parti: Partia për Veprim Demokratik e Riza Halimit dhe Unioni Demokratik Shqiptar i Rami Zulfiut e themeluan Këshillin Nacional.
Ndërsa, Këshilli Nacional, i dalë nga zgjedhjet e 26 tetorit, të vitit 2014, për dallim nga i pari, arriti t’i motivoj subjektet politike dhe shoqërinë civile, për të marrë pjesë aktive në zgjedhjet për Këshillat e pakicave nacionale në Serbi.
Por, kjo nuk ndodhi edhe gjatë konstituimit të Këshillit të ri Nacional. 5 partitë politike shqiptare, që bojkotuan zgjedhjet e mëparshme, të Këshillit Nacional, në këtë mandat dolën fitimtare dhe nxorën në opozitë 2 partitë, ish udhëheqëse të Këshillit Nacional.
Këshilli i ri Nacional përbëhet prej: Partisë Demokratike Shqiptare, të Ragmi Mustafës, e cila mban pushtetin në Preshevë, Partia Demokratike e Nagip Arifit, e cila mban pushtetin në Bujanoc, Lëvizja e Progresit Demokratik, të Jonuz Musliut, kryetar i Kuvendit Komunal në Bujanoc, Bashkimi Demokratik i Luginës, i Skender Desatnit, nënkryetar komune në Preshevë dhe Rilindja Demokratike e Ramiz Latifit, kryetar Kuvendi në Preshevë. Në opozitë kanë mbetur: Partia për Veprim Demokratik e Riza Halimit e cila i ka dy deputet në Parlamentin e Serbisë (Riza Halimi dhe Shaip Kamberi) dhe Unioni Demokratik Shqiptar i Rami Zulfiut.
Në dy vjetët e Këshillit Nacional, ky institucion, është marrë më tepër me ndërrimin e drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme si dhe me disa iniciativa, të cilat dolën shterpe dhe të dëmshme për bashkësinë shqiptare në Luginë dhe më gjerë në rajon. Këto iniciativa më shumë u kanë sjellë përçarje e dëme shqiptarëve se sa përparime në fushën e zhvillimit dhe afirmimit të arsimit, kulturës, informimit dhe zbatimit në praktikë të dygjuhësisë dhe rregullimit me ligj të simboleve kombëtare.
Tekstet problematike
Këshilli Nacional i Jonuz Musliut, vitin e kaluar, vitin e kaluar pat porositur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës.
mbi 100 mijë tituj të librave shqip me vlerë prej 200 mijë eurosh, të cilat u bllokuan në terminalin doganor nga Qeveria e Beogradit, për t’u kthyer pas disa muajsh nga kishin ardhur.
I mllefosur kryetari i KN, më 18 shkurti 2015, organizoi protesta, para Terminalit doganor në Preshevë – aty ku edhe mbaheshin tekstet mësimore për shkollat fillore të dhuruara si donacion nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës. Protesta e librit nga KN, më shumë i bie erë propagande zgjedhore se sa një nisme të mbarë për ta shpëtuar librin shqip, të cilin në njëfarë mënyre, ky institucion i administruar nga Serbia, vetëdijshëm, apo pavetëdijshëm e futi në një rrugë pa shtegdalje!
Kryetari i këshillit Nacional, në prag të vitit të ri shkollor, me insistimin e kryetarit të Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, nënshkroi marrëveshjen me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik të Republikës së Serbisë, përkatësisht Instituti për tekste shkollore, për sigurimin e teksteve mësimore, për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës. Marrëveshja me vonesë e nënshkruar, len edhe këtë vit shkollor nxënësit shqiptarë pa tekste mësimore. Po ashtu për shkak vonesës Këshilli Nacional, nuk arriti t’i gëzoj mjetet e parapara nga buxheti republikanë në vlerë prej 134 milion din, për botimin e teksteve mësimore në gjuhën e pakicave. Pakicat e tjera nacionale në Serbi: boshnjakët, bullgarët, hungarezët, rumunët, rusët, sllovakët dhe kroatët, një marrëveshje të tillë e kanë nënshkruar para disa muajve, ndërsa pakica shqiptare ka hezituar të vejë firmën në një dokument të tillë.
Atëherë si ndodhi ky revolucion i Darvinit?!
Jonuz Musliu dhe ish partnerëve strategjikë: Ragmi Mustafa e Nagip Arifi, vazhdimisht e kundërshtonin Këshillin Nacional të dikurshëm, për kinse botimin e Abetares pa identitet, formimin e komisioneve partiake dhe ndërrimin e drejtorëve “vikend”. Kurse, tashti pa kurrfarë problemi Jonuz Musliu, nënshkruan Marrëveshje për tekstet e lejuara nga Serbia,m të cilat nuk dallojnë nga Abetarja e botuar, kohë më parë. Këtë veprim të Jonuzit e lidhin me ndryshimet politike, të cilat i diktojnë rrugën kryetarit në katror, se nga të shkoj në stilin: “Lidhe kalin ku të thotë zotëria!”.
Sfida e radhët deh nga më të rëndat për Jonuz Musliun do të jetë Marrëveshja për simbolet kombëtare, ashtu siç i kanë pakicat e tjera në Serbi. A do ta nënshkruaj,ai, një marrëveshje të tillë për të mos pasur turbulenca gjatë festave kombëtare të cilat do të ofrohen shumë shpejt. Për ta ruajtur kolltukun nga presionet e kryetarëve aktual të komunave në Luginë, duke llogaritur edhe ato të qeverisë dhe ndërkombëtare, Jonuz Musliu, duhet të veproj si me Marrëveshjen për tekstet mësimore, ose duhet të fluturoj pa kapuç nga godina e Këshillit nacional, ashtu siç mbetën në opozitë partnerët: Ragmi Mustafa e Nagip Arifi.
“Zajednica” inegzistente
Kuvendi i këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, në shtator të vitit të kaluar, formoi Asociacionin e komunave shqiptare në Serbi.
Akti i themelimit të këtij Asociacioni, sa do që u quajt historik, ai, nuk zgjoi interesimin e faktorëve relevantë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, për ta mbështetur e aq më pak për ta përgëzuar. Pse?
Sepse në këtë seancë kuvendore, nuk morën pjesë gati gjysma e këshilltarëve shqiptarë në opozitë. Nga Komuna e Medvegjës, nuk mori pjesë asnjë këshilltarë shqiptar, për shkak zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe mandatit të tyre të skaduar, kurse nga Komuna e Bujanocit, nuk morën pjesë gati gjysma e këshilltarëve shqiptarë opozitarë. Kështu nga 74 këshilltarë shqiptarë sa numërojnë kuvendet komunale të Luginës së Preshevës, vetëm 43 sish morën pjesë aktive. Në fakt për formimin e “Zajednicës” shqiptare, ka votuar një komunë e gjysmë.
Përveç mungesës së unitetit të këshilltarëve shqiptarë dhe subjekteve politike, këtij Kuvendi, i ka munguar debati paraprijës publik, tribunat dhe bashkëpunimi me shoqërinë civile, bashkësinë fetare dhe faktorët e tjerë relevantë shqiptarë.
Këshillat Komunale në Preshevë dhe Bujanoc, në seancat e rregullta, u dhanë dritën jeshile Ragmi Mustafës dhe Nagip Arifi, për një udhëtim zyrtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të lobuar për “Zajednicën” e komunave shqiptare në Serbi. Në këtë udhëtim nuk shkoi kryetari i Këshillit Nacional, Jonuz Musliu, për shka se gjendet në Listën e zezë të departamentit të shtetit amerikan.
Ekipi i misionarëve të “Zajednicës”, që shkuan në Amerikë, me mjetet e taksapaguesve të shqiptarëve të Luginës, nuk dha efete pozitive për jetësimin e “Zajednicës” përpos harxhimeve enorme dhe dëmtimit të buxhetit të Këshillit Nacional.
Gati u bë një vit e askush më nuk e përmend Asociacionin e komunave shqiptare në Serbi.
Humbësi më i madh nga këto lojëra pa kufij, është populli i shumëvuajtur i kësaj Lugine, të cilët i ra hise të ketë mbi shpinë gjithë diskriminimit qindvjeçar të Beogradit e në kohë të fundit edhe të liderëve të saj, të cilët për interesa të ngushta personale janë në gjendje të shkelin mbi gjakun dhe djersën e qytetarëve, të cilët i shërbyen me votën e besimit e nga ajo fituan vetëm mjerim, skamje dhe sakrifica shpirtërore e fizike.
Disa nga propaganduesit e “Zajednicës” për shumë vjet rresht e kanë shfrytëzuar si kapital politik Referendumi e 1 dhe 2 mars 1992, për bashkëngjitje me Kosovën e më shumë kanë punuar për integrim në Serbi, pastaj janë betuar në vlerat e luftës dhe Marrëveshjen e Konçulit e kanë pranuar të bashkëqeverisin me ata, që deri dje i kanë masakruar dhe boshatisur nga trojet etnike, pastaj janë thirrur në Platformën e këshilltarëve shqiptarë të vitit 2006, për “definimin e Luginës së Preshevës si rajon i posaçëm politik, territorial dhe kushtetues, e në rast të mosrespektimit të parimeve të Grupit të Kontaktit dhe ndryshimit eventual të kufijve të Kosovës, do të angazhohen për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën”.
Pastrimi i parave
Këshilli Nacional, ka një buxhet vjetor prej 13.152,600,oo din, mjete këto që sigurohen nga buxheti republikan i Serbisë. Gjithashtu, në arkën e këtij institucioni, për vitin 2016 qenë paraparë të derdhen mjete edhe nga buxhetet komunale: Bujanoci participin me 3 milion din, Presheva me 2 milion e Medvegja 400 mijë din. Në vijim do të japim në formën tabelare të hyrat e buxhetit të KN për vitin 2015 dhe 2016, të cilat, mjerisht, hartohen vetëm në gjuhën shqipe edhe pse KN, është garantuese për aplikimin e dygjuhësisë.
Është një karakteristikë se kjo shumë e parave nga buxhette komunale nuk ka qenë edhe në periudhën 2010-2014, për motive politike.
Mjetet publike të Këshillit Nacional, kurrë nuk kanë qenë transparente. Ato janë avulluar për paga, honorare dhe udhëtime zyrtare e jo për veprimtari konkrete për zhvillimin dhe afirmimin e kulturës, arsimit dhe informimit shqip.
Në këtë drejtim, lirisht mund të themi se këto mjerte kanë shkuar për afromini e “Zajednicës” inegzistente dhe zgjedhjet lokale të këtij viti. Ndaj nuk do të ishte keq të bëhet një revizion për të parë se ku kanë shkuar rreth 400 mijë euro të Këshillit Nacional, në këto dy vitet e fundit?
Buxheti: I planifikuar përveç mjetete ga buxheti i Republikës së Serbisë, i përfshirë edhe buxheti nga vendime tjera
Buxheti i komunave pë 2016:
1 Mjetet paraprake nga 2015
411,400.00
2 buxheti i Republikës së Serbisë
13,152,600.00
3 Buxheti i komunës Bujanoc
3,000,000.00
4 Buxheti i komunës Preshevë
2,000,000.00
5 Buxheti i komunës Medvgejë
400,000.00
18,964,000.00
Ndryshimet evidente
Gjithçka duhet të ndryshohet në Këshilli Nacional, duke filluar nga kryetari i saj, i cili me zor është duke i bartur tre funksione. Nuk ka kuptim që një kryetar të jetë në të njëjtën kohë edhe kryetar Kuvendi Komunal, Kryetar i Këshillit Nacional dhe Kryetar i Këshillit Komunal për Siguri, të menaxhoj me tri vula, buxhete e shumë marifete.
Pastaj me radhë vijnë kuadrot e emëruara nëpër Komisionet e Këshillit Nacional, të cilët nuk janë të denjë të zgjidhin profesionalisht problemet e shqiptarëve në fushën e arsimit, kulturës, informimit, dygjuhësisë dhe simboleve kombëtare.
Në këtë drejtim nëse e doni një Këshill Nacional ndryshe, duhet të pushojnë shantazhimet, ndarjet politike, inatet, revanshizmat, të cilat janë kanceri i veprimtarisë së këtij institucioni të lartë të shqiptarëve në Luginë.
Nëse veprohet kështu, me veprime të çorientuara, do të thellohet edhe më shumë kriza politike shqiptare në Luginë të Preshevës dhe do të forcohet edhe më shumë diskriminimi sistematik i Beogradit ndaj shqiptarëve në këtë rajon.
Duke marrë parasysh se Lugina e Preshevës, është destinacion i përshtatshëm i dukurive negative si: kontrabanda me armë, drogë, prostituta, qenie njerëzore dhe karantinë e forcave të armatosura serbe, s’ka dyshim se ky rajon edhe në ardhmen do të jetë një vatër që prodhon kriza dhe një rajon, i cili reflekton jostabilitet në trekëndëshin midis shteteve të Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë.
Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc