Java e fundit e muajit gusht, solli një surprizë të këndshme për banorët e Malësisë së Bujanocit. Lajmi i shumëpritur për fillimin e asfaltimit të rrugës: Muhoc – Zarbicë, i dha fund dilemave shumëvjeçare për pamundësinë e rregullimit rrugor, duke mbushur gëzim dhe emocione, jo vetëm banorët e Malësisë së Bujanocit, por gjithë komunitetin shqiptar në Luginë dhe më gjerë.
E premtja e 26 gushtit, do të mbahet mend për fillimin e një projekti infrastrukturor, shumë të përfolur e asnjëherë të realizuar, që nga periudhat e pushteteve komuniste, socialiste, madje edhe demokratike!
Pushteti i ri komunal i qeverisur nga Shaip Kamberi, një mik i sinqertë i malësorëve, e mbajti fjalën e dhënë se rruga e Zarbicës do të asfaltohet nga “një pjesë e madhe e buxhetit të komunës, për të realizuar ëndrrën 40 vjeçare, për kthimin e jetës së njerëzve në këto vendbanime”.
Kthimi i besimit
Pushteti popullor i Shaip Kamberit, gjithashtu, korrigjoi një padrejtësi ndaj malësorëve, që pushteti i dikurshëm ia kishte ngarkuar me pa të drejtë, për pjesëmarrje në asfaltimin e rrugës me 30 për qind nga shuma e përgjithshme e kostos së këtij projekti.
Lirimi nga kjo gjobë e malësorëve, kthen besimin te institucionet komunale, të cilat u patën lëkundur gjatë mandatit të kaluar, kur ish pushteti luante me ndjenjat e banorëve të braktisur nga vatrat stërgjyshore dhe manipulonte me ata pak banorë, që i zbardhte drita mbi maje kodrash, të privuar nga e drejta për jetë normale infrastrukturore.
Një rrugë me dy çmime e me dy afate kohore për asfaltim, tregon qartë se ish pushteti ka irituar malësorët, të cilat nga dëshira e madhe grumbulluan mjete pa kthim, vetëm e vetëm të realizohet ëndrra e tyre shekullore për asfaltimin e rrugës së Zarbicës. Por, nuk janë vetëm malësorët e irituar me ish pushtetin, të mllefosur e të zemëruar janë edhe banorët e qytetit të Bujanocit, të cilët tashmë kanë ngritur zërin rreth projektit me lëshime dhe mangësi rreth-rrotullimi në hyrje të qytetit, pastaj projekti tjetër i restaurimit të qendrës së qytetit, projekt i cili gëlltiti me beton lashtësinë e një trashëgime kulturoren, që për botën e qytetëruar paraqet një krim të rëndë kulturor. Këto projekte, të cilat kapin vlerën e miliona eurove, duhet të rishikohen e madje të vihen nën hetim financiar.
Perspektiva
Pas kaq shumë përpjekjesh, vuajtjesh, sakrificash, rruga e idealit po e sheh dritën e fillimit të punimeve, duke lënë anash edhe thashethënat se rregullimi i rrugës së Zarbicës është një mision i pamundur. Po ashtu, fillimi i punimeve të asfaltimit të rrugës, përmbush amanetin e Doktor Ilazit nga Novosella, i cili dikur pat shitur tokat e baballëkut për ta rregulluar rrugë e Zarbicës.
Rruga e Zarbicës është e një rëndësie të veçantë, ngase lidh natyrshëm 4 bashkësi lokale: Zarbicën, Muhocin, Breznicën dhe Tërnocin me mbi 10 mijë banorë.
Banorët e Malësisë së Bujanocit, pavarësisht se ku jetojnë, në maje të kodrave, në qytete, komuna e shtete, duhet t’i lënë anash përçarjet, përgojimet , shantazhet e të bashkëpunojnë me pushtetin komunal, për realizimin e këtij projekti rrugor, i cili me realizmin e tij kthen shpresat për kthimin e jetës në Malësi të Bujanocit.
Kjo është perspektiva e atyre pak banorëve, që jetojnë në Malësi dhe të atyre, që mendojnë të kthehen ndonjëherë në vatrat e tyre stërgjyshore.
Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc
http://titulli.com/index.php?m=post&s=32490