Në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës kohët e fundit thonë se u kanë shkuar kërkesa të shumta, të cilat si pikë të parë kanë paralajmërimet për greva dhe protesta. Ato janë sjell nga sindikata të ndryshme nga persona që punojnë në ndërmarrje publike dhe nga ata që kanë mbetur pa punë nga procesi i privatizimit.
Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, thotë se nëse Qeveria e Kosovës nuk i shqyrton seriozisht këto kërkesa, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me rritje pagash, atëherë zgjidhja e vetme e shprehjes së pakënaqësive mbetet greva apo rruga, raporton KTV.
Sipas tij, rritja e standardit ka krijuar vështirësi të mëdha në përballimin e jetës dhe Arifi thotë se një marrëveshje mund të bëhet me Qeverinë që kjo e fundit të paktën të kërkojë që të mos rritet çmimi i energjisë apo i artikujve ushqimorë.
Drejtori i institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, thotë se këto kërkesa janë vështirë të realizueshme, pasi sipas tij, që nga viti 2010, kur kryeministri Thaçi kishte premtuar në mënyrë artificiale rritje pagash, nuk pasur bazë për një gjë të tillë.
Ai thotë se në këtë situatë është problem të gjendet ndonjë zgjidhje në realizimin e kërkesave të sindikalistëve dhe punëtorëve të ndryshëm, duke parë trendin e zhvillimit ekonomik të vendit.