Shefi britanik i thesarit, Philip Hammond, është duke e shqyrtuar seriozisht një rritje të madhe të pagës minimale pasi po synon që t’i japë fund rrogave të vogla në Britani.
Sipas propozimit që është duke u diskutuar, paga minimale mund të shkojë në nivelin prej 66 për qind të pagës mesatare. Kjo do t’ia mundësonte shefit të thesarit përmbylljen e periudhës së pagesave të ulëta. “Ai është shumë i brengosur për varfërinë dhe e sheh këtë metodë si rrugëdalje nga problemi”, tha një burim.
Departamenti i Thesarit e ka nisur një hulumtim për efektet e mundshme të rritjes së pagës minimale, i cili do të kryhet nga amerikani Arin Dube. Deri më tash, ai ka deklaruar se rritja e pagës minimale nuk do ta dëmtonte punësimin në masë të madhe.
Aktualisht, paga minimale në Britani të Madhe është 8.21 funte ose 9.65 euro për orë dhe pritet që vitin e ardhshëm të rritet në 8.60 funte ose 10.09 euro për orë.