Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar sot seancën e tretë stërvitore në kuadër të përgatitjeve në Katar për miqësoren me Suedinë, që zhvillohet të dielën, në Doha.
Gjendja e lojtarëve është shumë e mirë dhe motivi i secilit prej tyre është maksimal, derisa vërehet edhe dëshira e lojtarëve që janë për herë të parë pjesë e Kombëtares për t’i dëshmuar vlerat e tyre.
Stërvitjen e fundit para duelit me suedezët, Dardanët, do ta zhvillojnë nesër pasdite.
Pas stërvitjes, Blendi Baftiu u shpreh optimist.
“Është një ndjenjë e veçantë dhe e papërshkrueshme, por njëherësh edhe përgjegjësi të jesh pjesë e Kombëtares A. Është hera e parë për mua që kam marrë ftesë nga përzgjedhësi Challandes dhe po ndjehem shumë mirë në mesin e bashkëlojtarëve. Stërvitjet po shkojnë shumë mirë, prandaj besoj që do të kemi paraqitje të mirë kundër Suedisë. Të gjithë lojtarët janë të motivuar dhe angazhimi i secilit në stërvitje është maksimal. Për këtë arsye pres që të kemi një prezantim sa më të mirë në ndeshjen e së dielës. Normalisht që ëndërr dhe synim i imi është që edhe në të ardhmen të jem pjesë e Kombëtares A”, theksoi Baftiu.