(2L ONLINE) Retto Laober, udhëheqës i marketingut për bizneset më të mëdha në Zvicër dhe jashtë saj, i shoqëruar nga bashkëpunëtori i tij Xhevat Leka, sot kanë vizituar shkollën fillore “Selami Hallaqi”, ku janë pritur nga drejtori i DKA-së Nazmi Musa dhe nga ai i shkollës, Ahmet Aliu.
Qëllimi i vizitës është njoftimi me ambientin, kulturën, biznesin, zhvillimin, turizmin dhe gjithçka tjetër, në Kosovë dhe Gjilan në veçanti, ku interes i tij ishte mundësia e investimeve dhe sjelljen e biznesmenëve në Gjilan për të investuar.
Me këtë rast, Retto Laober, ka thënë se është i impresionuar me përshtypjen që kishte dhe me ambientin e mikpritjen që i është bërë.
“Kjo nuk do të jetë vizita ime e fundit. Jam impresionuar me gjithçka këtu. Kam ardhur të shoh këtu ambientin, biznesin, turizmin, shkollat dhe gjithçka tjetër. Jam këtu për shkak të bashkëpunëtorit tim Leka dhe kam përshtypjen më të mirë nga gjitha vizitat që kam bërë nëpër botë. Kam vizituar vende të ndryshme, por këtu ndjehem më mirë se në çdo vend, së fundmi isha në Itali, por këtu ndjehem shumë më mirë. Unë jam i interesuar që ndikimin që kam, të ndikoj në sjelljen e investimeve të ndryshme nga firma të ndryshme, për të investuar këtu në fusha dhe drejtime të ndryshme”, ka thënë ai ndër të tjerash.
Ndërsa drejtori i DKA-së, Nazmi Musa, ka thënë se interesimi për të sjellë të mira në shkollat tona është për tu përshëndetur.
“Zotëri Retto Laober nga Zvicra është i interesuar që të investoj përmes donacioneve në shkolla të ndryshme në Gjilan. Shumë shpejt do të sjellin karrige dhe banka, por edhe inventar tjetër, ndërsa në të ardhmen planifikohet binjakëzimi me ndonjë shkollë në Zvicër. Ndërsa sot kemi marrë zotimin se brenda kohës sa unë do të jem drejtor i DKA-së, do të investohet ndërtimi i një çerdheje në këtë lagje. Po ashtu është zotimi tjetër që një nxënësi me kushte të rënda ekonomike – sociale t’i financohet i gjithë shkollimi”, ka thënë drejtori Musa.
Edhe Xhevat Leka, bashkatdhetar yni që jeton në Zvicër ka thënë se pos gjitha atyre që u thanë, po punohet që në të ardhmen të hapet një qendër ku do të punësohen 15 – 20 punëtorë.
Gjithashtu janë pritur edhe nga drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Ismajl Januzi, dhe kanë vizituar shkollën e mesme të Agrobiznesit “Arbëria”./2L ONLINE/