Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Programin për Drejtësi Komerciale i USAID-it në organizuan një tryezë të rrumbullakët me gjyqtarë, avokatë dhe arbitra, me qëllim të shkëmbimit të informatave lidhur me zgjidhjet alternative të kontesteve me fokus në arbitrazh.
Chris Thompson, Shef i Partisë për Programin e Drejtësisë Komerciale të USAID-it, pohoi se pavarësisht nga mundësia e mrekullueshme për të shmangur bllokimin në çështjet gjyqësore, arbitrazhi nuk po përdoret sa duhet. Më tej, ai theksoi se USAID-i mbështet shumë gjëra, ku ndër të tjera ofron mbështetje në ndërtimin e arbitrazhit dhe shfrytëzimin e arbitrazhit në Kosovë duke pasur parasysh mundësinë e madhe që ka. Më tej, ai theksoi se është e rëndësishme që avokatët të pranojnë se duhet të vendosin klauzolën e arbitrazhit në kontratën e tyre.
Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë tha se krahas promovimit të përfitimeve të arbitrazhit, është e rëndësishme të ketë diskutime që identifikojnë barrierat që çojnë në një numër kaq të vogël të rasteve të arbitrazhit. Ai theksoi se avokatët kanë një rol të rëndësishëm në promovimin e arbitrazhit dhe ndërmjetësimit si mekanizma për zgjidhjen e kontesteve.
Mahir Tutuli, kryetar i Gjykatës Ekonomike, tha se që nga themelimi i Gjykatës Komerciale, ka pasur vetëm disa raste arbitrazhi. Ai tha se sfidat kryesore që hasen në arbitrazh janë procedurat e përmbarimit, të cilat ndonjëherë zgjasin edhe më shumë sesa të shkosh në gjykatë. Së fundi, ai pohoi se është e rëndësishme që të gjithë mekanizmat institucionalë të fokusohen në gjetjen e një zgjidhjeje për këtë çështje dhe të lehtësojnë procedurat e gjykatave tashmë të stërmbushura me lëndë.
Verona Dibra, gjyqtare në Gjykatën Komerciale, tha se janë vetëm dy çështje arbitrazhi. Procedura për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kërkon kohë, kalon nëpër faza të ndryshme, por zakonisht ajo që e pengon përpunimin e saj është pjesa e ekzekutimit, e cila kërkon një qasje të duhur.
Skender Gojani, avokat në Odën e Avokatëve, tha se ka nevojë për një promovim më të mirë të arbitrazhit. Sidomos në drejtim të promovimit në sektorin privat, përkatësisht bizneset. Kjo do të ishte bërë e mundur nëpërmjet përmirësimit të listave të arbitrazhit dhe promovimit të tyre.
Njomëza Zejnullahu, Arbitre dhe Zyrtare e Lartë Ligjore, Programi për Drejtësi Komerciale të USAID-it, deklaroi se qëllimi i kësaj tryeze ishte nxitja e bashkëpunimit ndërinstitucional. Në veçanti, për të diskutuar me njëri-tjetrin se cilat janë pengesat e arbitrazhit dhe si t’i trajtojmë ato. Është thellësisht thelbësore të pyesim veten se çfarë mund të ishte bërë, për të pasur një numër më të madh çështjesh në arbitrazh. /2LONLINE/