Kriteret që duhet të plotësojnë bizneset e sektorit të mishit për eksport të produkteve, nevoja për përkrahje nga institucionet, kontrolli i kufirit për të ndaluar qarkullimin e produkteve në mënyrë jo legale dhe bashkëpunimi i inspektoriatit komunal me atë qëndror ishin disa nga temat kryesore të diskutimit në takimin virtual të realizuar ndërmjet Odës së Afarizmit të Kosovës, Drejtor i Shëndetit Publik në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) Flamur Kadriu dhe bizneset e sektorit të mishit.
Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës Skënder Krasniqi përgëzoi AUVK për arritjen e eksportit të mishit të ardhur nga Evropa me prejardhje nga shpezët.
Ky mish të mundësohet të ketë prejardhje edhe nga Kosova, e jo të jetë obligim prejardhja nga vendet e Bashkimit Evropian apo vendet e lejuara nga BE – shtoi Krasniqi.
Kadriu falënderoi OAK dhe bizneset për takimin, duke shtuar që momentalisht është arritur të eksportohet vetëm mishi i shpezëve, prejardhja e të cilave është nga BE apo vendet e pranuara nga BE. Për të arritur këtë, AUVK ka kaluar një proces për tri vite, ndërsa një nga vështërësitë e hasura ishte mos qartësia e statusit të shëndetit të kafshëve në Kosovë.
Tutje sipas Kadriu, Kosova fillimisht duhet të kontrolloj kufinjët ashtu që të mos lejohet futja joformale e shtazëve e gjithashtu duhet të anëtarësohet edhe në Organizatën për Shëndetin e Kafshëve sepse momentalisht nuk kemi të drejtë të raportojmë sëmundjet e kafshëve.
Ndërsa, mungesa e bashkëpunimit të Inspektorëve të Veterinarisë në nivel komunal me ata qëndror, po e vështirëson edhe më shumë kontrollën në teren shtoi Kadriu.
Adil Spahiu nga “Industria e Mishit Malësia” theksoi që shteti duhet të mbroj bizneset prodhuese duke ju lehtësuar çasjen në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare, duke shtuar tutje që bizneset e këtij sektori janë të gatshme të përkrahin AUVK në çdo mënyrë ashtu që të tejkalohet situata aktuale.
Gëzim Selimi nga “Industria e Mishit Calabria” kërkoi të informohet në detaje për eksportin e produkteve të mishit të shpezëve, prejardhja e të cilave është nga vendet e BE – së.
Bizneset prezente në këtë takim virtual patën mundësitë të informohen për nga afër lidhur me mundësitë e zhvillimit të veprimtarive të tyre, ku në fund të takimit u dakorduan që të zhvillohet edhe një sesion informues me biznesin e parë që ka arritur të eksportojë.