Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, pranoi sot gjatë ditës nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, Raportin e Vendit 2023 të Komisionit Evropian.
Pas dorëzimit të raportit e takimit të mbajtur mes palëve, u zhvillua një konferencë e përbashkët për media, ku në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Bislimi tha se: “Ky është raporti i parë pas aplikimit tonë për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit të kaluar, e në të njëjtën kohë, raporti e adreson për herë të parë vendimin final të BE-së që qytetarët e Republikës së Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen duke filluar nga 1 Janari i vitit 2024“.
“Raporti i vendit mes tjerash konstaton se Qeveria ka vazhduar me agjendën e saj ambicioze të reformave drejt BE-së. Gjatë kësaj periudhe raporti dëshmon arritje të rëndësishme legjislative tek kriteret politike si dhe zbatim të masave e progres në ato ekonomike si dhe standardet e BE-së. Në agjendën e integrimit evropian, Qeveria e Kosovës është vlerësuar për arritjet në zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA II) dhe Programin Kombëtar për Integrim Evropian 2023–27”, shtoi ai.
Duke theksuar të arriturat në reformat e brendshme në sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, progresin ekonomik dhe social, liberalizimin e vizave dhe përkushtimin në bashkëpunimin rajonal, zëvendëskryeministri Bislimi tha se:
“Procesi i anëtarësimit në BE duhet të jetë në plotni i bazuar në meritokraci, por nuk mund të flasim për meritokraci përderisa Kosova nuk është formalisht duke u vlerësuar se a i plotëson kriteret e Kopenhagës. Kosova beson në të ardhmen e vet evropiane dhe si shembull i demokracisë në rajon, duhet t’i jepet mundësia që këtë edhe ta dëshmojë. Ne kemi bërë hapin tonë, kemi shpreh interesimin dhe kemi dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në BE. E shfrytëzoj edhe këtë rast, që ta ftoj BE-në, respektivisht Këshillin e BE-së, që ta mandatojë Komisionin Evropian që përmes pyetësorit të bëjë vlerësimin tonë për statusin e kandidatit. Kosova vazhdimisht ka dëshmuar se është aleate e BE-së, sepse ajo beson në të ardhmen e vet evropiane”, përfundoi ai. /2LONLINE/