Shkruan: Arsim KASTRATI
Ka një plan për Kosovën dhe Serbinë dhe për këtë plan janë dakord e tërë Europa e Amerika.
Nuk është zgjidhje definitive, por në kohën e luftës së madhe në kufirin lindor të Europës, është zgjidhje kritike (urgjente) për sigurinë e rajonit dhe tërë kontinentit europian.
Përmban kompromise të dhimbshme për palët dialoguese dhe është test i madh i diplomacisë europiane dhe amerikane.
A u ka mbetur palëve akoma hapësirë manovruese? A kanë akoma BE-ja dhe SHBA-të mjete të bindjes? Këtë së shpejti do ta shohim!
Serbia me trashëgiminë e sajë të fuqishme e të gjallë antishqiptare dhe aneksioniste ndaj Kosovës, me aleancën e deritanishme me Rusinë (e cila e këshillon që të mos e pranoj planin e BE-së) dhe me prorusismin e theksuar të popullit të saj, nuk e pranon lehtë këtë propozim.
E në Kosovën e vigjiljes së takimit të Ohrit, ata që e kanë kundërshtuar fuqishëm për një dekadë të tërë, po bëhen gadi që ta nënshkruajnë kurse, ata që e kanë votuar njëherë, po mendohen dhe po e kundërshtojnë – Asociacionin e ashtuquajtur Zajednicë.
Opozita ka të drejtë kur thotë se interesat shtetërore janë dëmtuar nga refuzimi i para një dekade dhe pishman fermani i sodit po na kushton më shtrenjtë por, ajo duket se gabon që nuk e sheh, se është lufta Rusi-Ukrainë ajo që e ka përshpejtuar dialogun Kosovë-Serbi dhe indirekt po e favorizon edhe një marrëveshje jo përfundimtare në Ballkan!
Edhe Serbia edhe Kosova do të kenë përfitime nëse e nënshkruajnë planin franko-gjerman (tashmë europian) e të mbështetur fuqishëm edhe nga Amerika kurse, në rast se e rrefuzojnë – do të dëmtohen. Mendimi im është që Kosova përfiton më shumë nga pranimi i planit por, është edhe pala që dëmtohet më tepër, në rast se e rrefuzon ate.
Me Serbinë e fortë që i mban peng tri shtete në Ballkan (Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën), që qëndron e lidhur njëkohësisht me dy kampet gjeopolitike kundërshtare, edhe me Rusinë edhe me Europën e Amerikën, këto të fundit do të kenë akoma punë dhe do të bëjnë edhe më tutje kujdes të shtuar ndaj saj, gjithnjë duke u munduar ta largojnë nga ndikimi i Rusisë.
Ndërsa diplomatët perëndimor për palët dhe marrëveshjen së fundmi thanë: “duhet të hipni në këtë autobus!” dhe “nusja nuk ka ndonjë bukuri të madhe por, kanë vendosur se duhet të martoheni”! /2LONLINE/