Biblioteka e Gjilanit “Fan S. Noli” ka pranuar sot një donacion me pajisje teknologjike për digjitalizim nga kompania Led-Com, në ngjarjen ku mori pjesë kryetari Alban Hyseni e kryesuesi i Kuvendit Komunal, Arianit Sadiku.Gjatë ceremonisë së pranimit, kreu i Gjilanit, Alban Hyseni, e ka falënderuar kompaninë Led-Com, duke thënë se ky donacion është i mirëseardhur për realizimin e projektit për digjitalizimin e bibliotekës.
“Biblioteka e Gjilanit është më e mira në Kosovë, por funksionalizimi i brendshëm ka pasur nevojë për një lloj përditësimi. Ne e kemi bërë një listë të pajisjeve sipas kërkesës të drejtorit të bibliotekës, të njëjtën e kemi përcjellë tek donatori, i cili na ka sjell në afat rekord. Këto pajisje do të funksionalizohen shumë shpejt e bashkë me to do të ecim tutje në përditësimin e mëtutjeshëm të infrastrukturës këtu”, ka deklaruar kryetari Hyseni.
Ai shtoi se për herë të parë pas vitit 2017, Komuna ka ndarë sivjet 10 mijë euro për blerjen e librave.
Ndërkaq, drejtori i Bibliotekës “Fan S. Noli”, Qazim Azizi, ka thënë se po punohet tash e një vit që të bëhet digjitalizimi në trekekëndëshin libri, lexuesi dhe vetë biblioteka.
“Jemi biblioteka e parë që po e bëjmë një hap ndryshe që nga regjistrimi në formë letre të kalojmë në atë digjital etj”, ka thënë Azizi.
Përfaqësuesi i kompanisë Led-Com, Refik Ramadani, tha se duke e ditur faktin se po jetojmë në një shekull digjital, që çdo gjë bëhet përmes teknologjisë, me të marrë kërkesën nga kjo bibliotekë, kanë ofruar këtë donacion, duke shpresuar që do të përdoren në mënyrën më të mirë. /2LONLINE/