Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, në Gjilan, ka dhuruar mbi shtatëdhjetë tituj librash për bibliotekën e shkollës së artit pamor “Adem Kastrati”.
Sabit Rrustemi, krijues dhe drejtues i Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu”, ka thënë se praktika e dhurimit të librave për biblioteka shkollash, ka filluar shumë vite më parë dhe e njëjta po vazhdon e do të ndiqet dhe në të ardhmen.
“Këtë e bëjmë se duam ta sjellim librin më afër nxënësve, edhe si mundësi për t’u lexuar, edhe si shumësi përzgjedhjesh për ta. Në këtë kontingjent që sot po e ofrojmë si donacion për bibliotekën e shkollës së artit pamor, ka libra në prozë, poezi e kritikë letrare. Një pjesë e tyre, janë libra të autorëve të anës sonë, siç ka dhe të tjerë autorë që janë jashtë kësaj hapësire, por që kanë shkruar për krijuesit e Anamoravës dhe veprën e tyre”, ka thënë Rrustemi, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Në anën tjetër, Roland Masurica, drejtor i shkollës, ka falënderuar për këtë duke shtuar se kjo është një ndihmë shumë e rëndësishme për bibliotekën e shkollës.
“Ne do të jemi mirënjohës për këtë që keni bërë sot. Nxënësit tanë, këtë vit shkollor, krahas faktit që mësimet po ndjekin në objekt të ri, për herë të parë që nga themelimi i shkollës, kanë dhe bibliotekën e shkollës, e cila me këta tituj të sotëm që po na dhuroni pasurohet edhe më shumë”, ka thënë ai.
Ndërsa, Agim Kajtazi, profesor i shkollës dhe përgjegjës për bibliotekën, ka pohuar se gjesti i Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu”, meriton vlerësimet të larta, transmeton 2LONLINE.com.
“Këtë ndihmë e konsiderojmë si mbështetje në misionin tonë ta vazhdueshëm, afirmimin e rëndësisë që ka leximi, e të cilën puna na obligon ta pohojmë në vazhdimësi. Tani kur librat janë më afër fjalëve kur flitet për ta, pesha e gjestit tuaj bëhet shumë kuptimplote”, ka thënë ai duke falënderuar z. Rrustemi dhe profesorin Muhamet Sadriu, i cili, nga fillimi, s’ka pushuar se ndihmuar në përpjekjet për pasurim të bibliotekës së shkollës me libra. /2LONLINE/