Pas ndërprerjes së seancës konstituive, zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë mbajtur një konferencë për media ku kanë kritikuar kryesuesin e seancës, Adem Mikullovci, për siç kanë thënë keqpërdorim të foltores.
Anëtar i Kryesisë se PDK-së, Besim Beqaj, ka thënë se në seancën konstituive nuk mund të procedohet pa prezencën e koalicionit fitues të zgjedhjeve dhe pa prezencën e numrit të duhur të deputetëve.
“PDK-ja konsideron se është një abuzim i pa precedentë i foltores dhe shkelje e normave kushtetuese, sepse dihen rregullat e qarta se si mbahen seancat e Kuvendit. Koalicioni PAN nuk është bllokues, mandatari ka nevojë për konsulta shtesë, ne do t’i themelojmë institucionet shumë shpejtë. Dhe të gjithë ata që po performojnë një jokushtetueshmëri, po përformojnë një abuzim dhe po krijojnë veprime pa precedent”, ka deklaruar Beqaj.
Në asnjë normë kushtetuese, shtoi Beqaj, nuk do të lejohen veprime të tilla.
Ai ka konfirmuar se në takim konsultativ të thirrur për të mërkurën nga kryesuesi Mikullovci, përfaqësuesit e PAN-it do të jenë të pranishëm.
BURIMI: Epoka e Re