/2L ONLINE/ – Sot në Universitetin Kadri Zeka, studentët e këtij Universiteti kanë prezantuar punën e tyre në fushën e digjitalizimit. Studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në udhëheqjen e dekanit Xhevdet Thaqi dhe stafit akademik, kanë prezantuar punën e tyre në përpilimin elektronik të orarit mësimor, ueb faqes së shkollave, digjitalizimin të punës dhe shërbimeve në stacionin e autobusëve si dhe aplikacionin për menaxhimin e pagesave dhe shërbimeve hoteliere.
Shih shkrimin: Studentët e UKZ- së prezantojnë punën e tyre në fushën e digjitalizimit
I pranishëm në këtë ngjarje, në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit, ka qenë edhe Faton Bislimi, Koordinator për Politika dhe Marrëdhënie Rajonale, i cili ndër tjerash ka thënë se ky hap i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, po jep rezultate konkrete në një afat të shkurtër kohor.
“Kryetari Haziri dhe rektori Kosumi kanë nënshkruar një marrëveshje e cila sot po jep frytet e para të prekshme që janë bërë të tilla falë angazhimit të stafit akademik dhe juve studentëve të kësaj katedre. Kjo është një ide, e cila, është kthyer në realitet për të gjithë ne. Për rininë dhe studentët barti një mesazh që të fuqizoni veten me arsim cilësor, pastaj ta përdorni këtë arsim për të ndërtuar vendin që është madhor sa ëndrrat e juaja për të ardhmen. Bëhuni shembull i ecjes përpara, duke ju udhëhequr shpresa dhe asnjëherë frika”, ka thënë ai, duke potencuar rëndësinë e madhe që kanë të rinjtë profesional në shekullin e digjitalizimit dhe zhvillimit të Kosovës.
Bislimi po ashtu ka konfirmuar gatishmërinë e administratës së udhëhequr nga kryetari Haziri, për vazhdim të bashkëpunimeve edhe në fusha të tjera, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve për publikun me këtë rast shkollat dhe ndërmarrjet, e në të ardhmen edhe institucionet tjera publike dhe rrjetin e bizneseve në përgjithësi. /2L ONLINE/