Për dy ditë radhazi, aktiviteti sportiv ‘’ Beach Volley’’, ka mbledhur lojtarë dhe ekipe nga vende të ndryshme të Kosovës.
Me një fushë të improvizuar me rërë, në Amfiteatrin e Qytetit të Kamenicës, lojën e volejbollit e duartrokitën me shumë entuziazëm adhuruesit e këtij sporti së bashku me të parin e komunës, Kadri Rahimaj, dhe stafin e tij.
Ata përballë vetes patën ekipe të jashtzakonshme, të cilët luajtën fort e pandalur.
Dita e parë e turneut filloi me datë 25 Korrik në kategorinë e femrave me gjithsej shtatë ekipe, ku volejbollistet na dhuruan emocione deri në fund, përgjatë pesë seteve të lojës.
Spektakël e garë interesante dhuroi edhe kategoria e meshkujve me gjithsej 16 ekipe, ku nga tifozët e volejbollit u përcjellën vazhdimisht me brohorima deri në fund të lojës, e cila përfundoi në orët e vona të mbrëmjes.
Për të dyja kategoritë dhe ekipet loja ishte tejet e barabartë, por në fund shpërblimet ju takuan atyre të cilët triumfuan pak më shumë si fitues.
Në konkurrencën e femrave, fituese të vendit të parë u shpallën dyshja Edona Godanci Demolli dhe Anisa Vllasi, kurse si fituese të vendit të dytë u shpallën Ermonda Shillova dhe Adisa Lakna.
Te meshkujt, Vullnet Bunjaku dhe Fatbardh Ajvazi triumfuan në vendin e parë, kurse Dilon Latifaj dhe Rigon Bajrami në vendin e dytë.
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, znj.Rinë Matoshi Huruglica ndau shpërblimet për kategorinë e vajzave, kurse për kategorinë e meshkujve, shpërblimet i dhuroi Përfaqësuesi i Federatës së Volejbollit në Kosovë. /2LONLINE/