(2L ONLINE) – Agjencioni Rajonal për Zhvillim – Lindje (AZHR) ka organizuar të mërkurën një takim me bizneset e 11 komunave të pjesës lindore të Kosovës, për të prezantuar skemën e granteve rurale të BE-së. Almir Hyseni nga AZHR-Lindje, ka thënë se kjo është një ndihmë tjetër për sektorin privat në komunat e regjionit të lindjes, përmes granteve të BE-së.
Skemën e grateve e ka prezantuar Iva Stamenova, shefe e degës për ambient dhe zhvillim rural në Zyrën e BE-së, e cila ka thënë se grantet janë të ndara në 4 loto dhe janë të parapara për katër sektorë.
Loto 1 synon nën-sektorin e përpunimit të qumështit, loto 2 synon nën-sektorin e përpunimit të mishit, loto 3 synon nën-sektorin e frutave dhe perimeve, duke përfshirë edhe prodhimin e verës, ndërsa loto 4 synon përpunimin e barishteve, bimëve mjekësore, frutave pyjore, nënprodukteve të drurit, kërpudhave dhe turizmin rural.
Për sektorin e qumështit, grantet janë 500 mijë euro, për sektorin e përpunimit të mishit – 1 milion euro, sikurse edhe për atë të frutave dhe perimeve, ndërsa për loton e katërt – 1.5 milionë euro.
Afati për dorëzimin e koncept-projektit është deri më 1 korrik 2014, ka thënë Stamenova.
Kurse Arbana Abrashi nga Zyra e BE-së, dha sqarime për mënyrën e aplikimit për grante, përfshirë edhe detajet teknike që kërkohen në aplikacion, i cili duhet të plotësohet në gjuhën angleze.
Shuma e granteve që mund të përfitohen në këtë fond të BE-së për zhvillim rural, është prej 250-500 mijë euro.
Ismajl Januzi, drejtor i Zhvillimit Ekonomik, e ka mirëpritur ndihmën që BE po ofron për rajonin e lindjes, për herë të dytë, duke inkurajuar bizneset e këtushme që të shfrytëzojnë këtë mundësi për ngritjen e kapaciteteve të tyre zhvillimore.
Januzi ka premtuar se bashkërisht me RDA-në do të ndihmojnë bizneset në këtë fazë për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për aplikim. /2L ONLINE/