Abide Osmani
Edhe sa duhet punuar që barazia gjinore të jetë në nivelin e duhur? Kjo çështje akoma është brengosëse, pavarësisht se në Kosovën e pasluftës, paralel me problemet e tjera gjinore, një ndër temat aktuale shpeshherë dëgjohej dhe trajtohej nga organizatat e shoqërisë civile, e në veçanti atyre te grave.
Por duke ditur se kjo temë ishte e pamenduar më parë për shkaqe te ndryshme e në veçanti duke pasur parasysh problemet e shqiptarëve që ishin të shumta me padrejtësitë e tejskajshme që iu bënë nga pushteti i atëhershëm serb, kjo temë jo që mbeti ne harresë por se ne njëfarë mënyre ishte e pa imagjinuar deri ne çlirimin e Kosovës, në përjashtim të rasteve të rralla në aspektin e shkollimit ku në një familje ishte e qartë se duhet të shkolloheshin edhe vajzat edhe djemtë baras.
Po të bëhej një analizë e mirëfilltë nga atëherë e deri ne ditët e sotme, vërtet duhet mund dhe angazhim maksimal, por përmes këtyre pak rreshtave mund të themi se, vërtet gjërat kanë ndryshuar për të mirë.
Në vitet e 90-ta, ishte problem dalja e grave dhe vajzave nga shtëpia, dhe ato pak aktiviste për te drejtat e njeriut, në veçanti grave që punuan në atë kohë, vërtet ballafaqoheshin me probleme të shumta në teren për realizimin e këtij qëllimi. Por me përfundimin e luftës në Kosovë, u vërejt interesimi në këtë drejtim, madje edhe i një përqindje të vet burrave të cilët kërkonin që edhe gratë e tyre të gjenin një vend pune dhe të punojnë për interesa të përbashkëta familjare.
Rolin kryesor për një ndërgjegjësim gjinorë e patën organizatat e grave të cilat shtynë procese me rëndësi për përmirësimin e çështjeve gjinore si në nivel familjarë ashtu edhe atë institucional, duke bashkëpunuar me institucionet lokale e qendrore, e subjektet politike në vend, e në veçanti në vendimmarrje.
E paralel me këtë, kontribut të veçantë ka dhënë Rrjeti i grave te Kosovës, ku përmes nismave bëri që të ndikoj në harmonizimin e ligjeve drejt një barazie gjinore, e cila jo rrallë herë u mirëprit nga institucionet si mekanizëm.
Pa dashur fare të thellohem më tutje, krahas angazhimit te OJQ- ve të grave, edhe ndërgjegjësimi i institucioneve dhe subjekteve politike filloi të jep rezultate. Dikur ne nivel lokal, me theks te veçantë po e citoj komunën e Vitisë, kur kishte pak gra në këshillin lokal, e asnjë në pozitat udhëheqëse. Tani për tani ky numër ndryshoi.
Nga zgjedhjet lokale 2021 nga 10 drejtori aq sa ka komuna e Vitisë, 3 prej tyre udhëhiqen nga gratë e koalicionit. Për derisa në Komunën e Kllokotit akoma nuk është bërë formimi i qeverisë. Me ketë rast, Shoqata për mirëqenien e gruas ,,Monsig,, e cila një ndër prioritetet ka monitorimin e institucioneve gjegjëse dhe bashkëpunimit me qëllim te ndikimit për një barazi të plotë gjinore, nga afër po vëzhgon situatën.
Përveç numrit të grave në pozita ,,Monsig,, ngre shqetësimin e saj edhe mbi rëndësinë e drejtorive qe iu jepen grave për menaxhim, cilësinë në përzgjedhje dhe ndikimin institucional për të vepruar lirshëm.
Me këtë rast shtrohet pyetja, a jemi të kënaqur ne si shoqëri me këto te arritura, pa dyshim se jo, edhe sa duhet punuar deri në vetëdijesimin e plotë që barazia gjinore si në nivel lokal ashtu edhe qendror të arrij 50%. E kjo mbetet të shihet në të ardhmen duke kontribuar bashkërisht si trekëndësh, OJQ-parti politike-institucione.
Por, barra më e madhe u takon nismëtareve nga organizatat e grave, te cilat për dekada të tëra trasuan rrugën e drejtësisë gjinore, si e drejtë e barabartë dhe e patjetërsuar, e garantuar me Kushtetutën e vendit dhe konventave ndërkombëtare, krahas burrave sepse edhe gratë din, mund dhe ia dalin.
Shoqata për mirëqenien e gruas ,,Monsig,,
Autore, Abide Osmani
Kllokot, 20 janar 2021