Disa familje që kanë shtëpitë e tyre në rrugën “Martirët e Gjilanit – Majtas” në Zabelin e Sahit Agës janë në hallë me kanalizimin ekzistues i cili ka disa ditë që është bllokuar dhe nuk është funksional, gjë që përveç pengesave tjera që u shkakton atyre familjeve, pasi nuk kanë kah të shkojnë fekalet, ajo pjesë tani edhe kundërmon.
Rahim Ramadani, banues në këtë pjesë, thotë se gjendja është rënduar dhe nuk po ndërmerret asgjë për tu rregulluar ky problem tani e mbi dhjetë ditë. Ai thotë se gjendja rëndohet edhe më shumë kur kemi të reshura, sepse fekalet dhe uji dalin nga pusetat e përveç që shkretojnë rrugën rrezikojnë të hyjnë edhe nëpër oborre shtëpish.
“Qysh në fillim të mbylljes së kanalizimit i kemi njoftuar autoritetet komunale, kemi qenë edhe në Kompaninë “Hidromorava”, por përveç premtimet se do të dalin në vendngjarje dhe do ta zhbllokojnë kanalizimin e mbyllur, deri më sot, askush nuk ka dal të ndërhyjë”, ka thënë Ramadani.
Ai lutë përgjegjësitë për këtë çështje që të reagojnë sa më shpejtë sepse, çdo ditë po bëhet edhe më e padurueshme jeta në atë pjesë, ku është problemi.
Ramadani thotë se tani është koha kur edhe po u vinë familjarë nga mërgimi, por se kanë dertin se si t’i mirëpresin kur janë këtë gjendje. Ai thotë se nëse komuna apo institucioni përgjegjës nuk ua bënë çarën, ata duan edhe alternativë vetëm t’i ndihmojë dikush, t’i udhëzojnë se t’ia bëjnë.
Përndryshe, Ramadani thotë se nëse komuna apo institucionet tjera që duhet me ndërhyrë, nuk reagojnë sa më shpejtë, na mbetet që për këtë çështje, t’i drejtohemi edhe Gjykatës.