Autoritetet policore kanë bërë me dije për një rast të regjistruar në Gjilan, rruga “Bulevardi i Pavarësisë”, ku policia gjatë tentativës për të arrestuar një femër e cila kërkohej me urdhëresë të gjykatës, pengohet nga babai i saj, me këtë rast policia ka arrestuar edhe atë.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se Policia e Kosovës, njësitet sektoriale nga stacioni policor i Gjilanit, derisa tentonin ta shoqëronin në stacionin policor të dyshuarën femër, shtetase e Kosovës, pasi që ndaj të njëjtës, Gjykata Themelore në Gjilan kishte lëshuar urdhër-arrest me burgim efektiv si dhe disa urdhëresa tjera për paraqitje në gjykatë, i dyshuari shtetas i Kosovës, baba i të dyshimtës, ka penguar zyrtarët policorë.
Zëdhënësi Hashani tha se zyrtarët policorë janë detyruar ta arrestojnë të dyshuarin pasi që i njëjti kishte rezistuar fizikisht dhe i ka penguar në vazhdimësi oficerët policorë.
Ai tha se për rastin në fjalë është njoftuar prokurori i shtetit ku me urdhër të tij iniciohet rast “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës”, dhe të dyshuarit i caktohet masa e ndalimit për 48 orë, gjersa e dyshuara është sjell para Gjykatës Themelore në Gjilan.