Qytetarë dhe afaristë të komunës së Vitisë, kanë marrë pjesë në një sesion informues rreth aplikimit në një skemë të granteve për hapjen apo rritje të bizneseve, që financohet nga Ministria e Zhvillimit Rajonal, në kuadër të Programit për Zhvillim të Balancuar Rajonal 2019.
Qytetarët e pranishëm u interesuan rreth procedurave për të qenë përfitues nga grantet qeveritare për hapje të bizneseve apo zgjerim të tyre.
Atyre u bëri thirrje që ta shfrytëzojnë thirrjen për aplikim në grante edhe kryetari i komunës Sokol Haliti, i cili mes tjerash tha se edhe mbështetja institucionale do të jetë e pandalshme.
“Uroj që të konkurroni me projekte të mira që kërkohen në këtë program. Unë kam qenë dhe mbetem i përkushtuar që të mbështes bizneset por edhe afaristët. Njiherit përgëzoj për punën e mirë që e kanë bërë dhe po e bëjnë në vazhdimësi, Agjencioni për Zhvillim Rajonal”, ka thënë kryetari Haliti.
Kurse Agim Zeka nga Agjencia Rajonale për Zhvillim Lindje, duke njoftuar rreth procedurave që duhet ndjekur për aplikim të granteve, potencoi se fondi i përgjithshëm për gjithë Kosovën është i përcaktuar në një buxhet prej 2.4 milionë eurosh.
“Është një mundësi e mirë që edhe afaristët vitias të aplikojnë për të përfituar mjete pune, të cilat do të ndikojnë në punësime të reja dhe prodhime vendore. Projekti ka tri loto dhe shumat që do të mund të përfitohen janë nga 2 mijë e deri në 25 mijë euro”, ka thënë Zeka.
Në këtë takim u bë e ditur se afati për aplikim do të zgjasë deri më 22 shkurt dhe aplikimi duhet të bëhet vetëm në platformën online, ndërkohë që dokumentet e dorëzuara në forma të tjera, nuk do të merren parasysh për shqyrtim.