Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Kuvendin Komunal të Gjilanit, ku pas shkarkimit të kryesuesit, nuk u zgjodh kryesuesi i ri, (shkaqe procedurale – kishte vetëm një të propozuar për këtë pozitë), Ardian Azemi, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Dega në Gjilan ka thënë se Kuvendi i Komunës në Gjilan, deri të premten e javës së ardhshme duhet të bëhet me kryesues, asgjë tjetër nuk i intereson qytetarit.
Azemi tha se Kuvendi Komunal në Gjilan duhet të funksionalizohet dhe të jetë në shërbim të Gjilanit dhe të qytetarëve, ndërsa kush me kënd bëhet, kush del e sa kandidat dalin, edhe kjo bash hiç nuk i intereson qytetarëve.
“Si Aleancë, aspak nuk na intereson kush përfiton e kush humb nga krejt këto zhvillime në Komunë. Jemi dhe do të jemi kryekëput në shërbim të Gjilanit e të interesit të përgjithshëm. Për një gjë ju siguroj. Qytetari është duke iu vëzhguar”, ka thënë Azemi i AAK-së. /2LONLINE/