Drejtori Ekzekutiv i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, sot përmes një konference për media ka shpalosur rezultatet nga aktivitetet e realizuara përgjatë periudhës janar-qershor 2023.
Gjatë fjalimit para mediave, Murtezaj tha: “Jam këtu sot për të ndarë me ju rezultatet dhe sfidat e ATK-së. Konferenca për media është një rast i rëndësishëm për t’i prezantuar përpjekjet dhe arritjet tona në këtë kohë të veçantë. Në fillim dua të theksoj se periudha janar-qershor 2023 ka qenë një periudhë e rëndësishme për Administratën Tatimore, përkundër sfidave të mëdha që jemi përballur, kemi arritur të realizojmë objektivat e planifikuara”, njofton Administrata Tatimore e Kosovës.
Përmes kësaj konference u tha se njëra nga arritjet kryesore ka qenë rritja e efikasitetit dhe transparencës në procedurat tatimore. Përmirësimi i teknologjisë dhe automatizimit ka lehtësuar shërbimet për tatimpaguesit dhe ka rritur nivelin e besimit në administratën tonë. Përderisa drejtori Murtezaj theksoj se realizimi i të hyrave ka arritur të tejkalohet për 68 milionë euro në raport me vitin e kaluar, rritje kjo e cila reflekton rezultatin e reformave të ndërmarra në proceset kyçe të autoritetit tatimor. Në totalin e mbledhjes së të hyrave shifrat kapin vlerën e 423.2 milionë euro, njofton Administrata Tatimore e Kosovës.
Vite me parë nga aspekti i tatimeve Kosova rangohej brenda mesatares së vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa tani, duke ju referuar reformave te zhvilluara dhe rritjes se inkasimit të të hyrave, bazuar në raportin e FMN-së dhe mekanizmave tjerë ndërkombëtarë, Kosova konsiderohet lider në Ballkanin Perëndimor.
Tutje, u fol se trajtimi i borxheve pozicionohet si njëri ndër prioritetet me rëndësi të veçantë për ATK-në, ku bazuar në efektet e dhëna nga reformat në Mbledhjen e Borxheve është arritur të inkasohen 91.6 milionë euro. Tutje Drejtori i ATK-së shtoi se fokusi karshi sektorëve me risk tatimor është duke prodhuar rezultate, me theks tek sektori gastronomisë/hotelerisë, estradës, stilistëve të bukurisë, si dhe pjesës së punëtorëve të padeklaruar. Referuar statistikave gastronomia/hoteleria kanë rritur pagesat nga 6.1 milionë euro sa ishte në periudhën janar-qershor 2022, këtë vit për të njëjtën periudhë kemi afro 7 milionë euro pagesa. Ndërsa tek estrada kemi rritje të dyfishtë të pagesave nga mbi gjysmë milioni euro pagesa (periudha referuese) këtë vit kemi 1.2 milionë euro.
Projekti i përmbushjes tatimore “Personat e Pasur”, si dhe “Mos deklarimi i të Ardhurave në TAP” ishin më të rejat e fundit që u prezantuan, si planifikime të ATK-së, të cilat kanë për qëllim identifikimin e personave të pasur duke përdorur bazë të të dhënave në formë sistemi/platforme e cila mundëson ndërlidhjen me institucione qeveritare, jo qeveritare, financiare me qëllim të trajtimit tatimor të kësaj kategorie, rritjen e numrit të deklarimeve dhe pagesës së tatimit nga kjo kategori e tatimpaguesve, si dhe zvogëlimi i hendekut tatimor si rezultat i mos deklarimit të të ardhurave nga personat me të ardhura të larta.
Në fund të kësaj konference Drejtori Murtezaj falënderoj ekipën e ATK-së për punën e palodhshme për të luftuar evazionin fiskal. Ku tha se përmes strategjive të reja, kemi arritur të zvogëlojmë evazionin dhe të rrisim mbledhjen e të ardhurave për buxhetin e shtetit.
Megjithatë, Murtezaj tha se është e rëndësishme të përmendim se sfidat janë ende të mëdha. Administrata Tatimore e Kosovës po përballet me kompleksitetin e ligjeve tatimore dhe nevojën për ndryshime dhe përmirësime të vazhdueshme. Gjithashtu, bashkëpunimi me sektorin privat dhe ndërkombëtarë është thelbësor për të rritur kapacitetet tona dhe për të arritur rezultate të mëdha.
Në fund shprehi falënderime tek mediat për raportimin e drejtë dhe objektiv që kanë bërë në vazhdimësi, njofton Administrata Tatimore e Kosovës. /2LONLINE/