Duke u nisur nga vetë titulli “Kënga e zogut”që autori ka përzgjedhur të krijohet menjëherë mjedisi nëpër të cilën ti do të udhëtosh në mënyrë poetike në vargjet e këtij vëllimi. Vetë kemi cilësuar që zëri i fëmijës ngjan me atë të cicërimës, të këngës së zogut.
Takimi i parë letrar me poetin Bilall Maliqi dhe familjarizimin me veprën e tij më pas, qëlloi të ishte me veprën “Drithërima” e cila është e përkthyer edhe në gjuhën rumune. E kam dashur poetikën e tij pasi është një poet që gjallon në të përditshmen që e rrethon dhe e shqetëson.
Që në vargjet e para të vëllimit “Drithërima” autori të përcjell mesazhin sesa e vështirë ka qenë dhe mbetet mbijetesa për një komb. Bërja dhe zhbërja e kombit fillon dhe mbaron te gjuha. Ndaj në prologun e kësaj poeme autori mjeshtërisht me fjalë të kursyera përshkruan rrugën nëpër të cilën ka ecur fjala dhe gjuha shqipe.
Litari që kërcënueshëm është tundur mbi jetët njerëzore të kombit shqiptar është prerë.
…e shekulli si në ëndërr
ia hoqi nga qafa litarin etnisë…
Dhe për të përforcuar këtë ide autori Bilall Maliqi ka ndërtuar një gjetje origjinale, funksionale, të ndërtuar në mënyrë mjeshtërore me mure frymëzimi dhe gurë të rëndë figuracioni letrar.
Tridhjetë e gjashtë shkronja në po kaq pjesë poeme ku secila prej tyre pavarësisht shumësisë ose pakicës së vargjeve është një botë më vete në të cilën lëvrijnë marrëdhënie jete të këndvështrimit politiko-sociale e deri në zhbirime të ndjenjave njerëzore pa të cilën bota nuk mund të jetë.
Po kaq të bukura janë këto shkronja dhe në krijimtarinë e këtij poeti në letërsinë për fëmijë. I gërshetuar mes kritikës letrare, krijimtarisë për të rritur Maliqi qëndron dinjitoz dhe në krijimtarinë e tij për të vegjlit, pjesë e të cilës është dhe vëllimi poetik këngë zogu e cila ka qenë vepra e njëzetë e tretë në listën e krijimeve të tij.
Duke u nisur nga vetë titulli që autori ka përzgjedhur të krijohet menjëherë mjedisi nëpër të cilën ti do të udhëtosh në mënyrë poetike në vargjet e këtij vëllimi. Vetë kemi cilësuar që zëri i fëmijës ngjan me atë të cicërimës, të këngës së zogut.
E kërkova ta lexoja të parën këtë poezi për të thithur titullin që mbante ky libër. Një poezi e thjeshtë në dukje, por me një mesazh të ndjerë, të pastër, të qartë. Poeti ka mësuar të jetë i gëzuar nga vetë kënga-cicërimë e një zogu në një ditë pranvere, por ka mësuar edhe më shumë se kaq.
Çerdhen e bukur
Ta ndërtoj mësova,
Kur pashë në të zogjtë
Sa shumë u gëzova.
Në tërësinë e krijimeve të këtij vëllimi do të ndeshemi me marrëdhënien natyrë e njeri. Një duet që japin e marrin me njeri tjetrin për të përforcuar atë vlerë të madhe që ka vendi ku ke lindur, rritur dhe ndërtuar jetën tënde. Të mos harrojmë faktin që poeti Bilall Maliqi jeton në Preshevë, në një tokë shqiptare të ndarë keqas nga pjesa amë. Dhe kjo gjë, kjo dhimbje, kjo plagë materializohet artistikisht në poezinë “Lumi ndarës”.
Lumi i ndan dy bij,
Që shihen sy më sy;
Edhe pse në dy shpate,
Dashurinë e ruajnë në gji.
Dhe dëshira e madhe jo vetëm e Maliqit, por e mijetrave e milionave të tjerë është ndërtimi i një ure që do t’i bashkonte, do t’i bënte të ishin më pranë njeri tjetrit.
Lumi përkund të dy bijtë
Dhe ka të madhe një dëshirë
Një ditë t’i lidhë me urë
Shkëmb(bijtë) e vet të mirë.
Patriotizmi i poezive të Maliqit është shumë natyral, jo i sforcuar, por me gjuhën e thjeshtë që mesazhi të jetë sa më i kapshëm për këtë grupmoshë fëmijësh që ai iu drejtohet.
Përmes territ të informacionit dhe çoroditjes politike, presionit dhe kushteve aspak të favorshme në të cilën edukohen dhe arsimohen fëmijët e Preshevës, por jo vetëm, Maliqi përcakton qartë e saktë që njëzetë e tetë Nëntori është festë kombëtare, është festa e pavarësisë dhe e flamurit.
Këtë askush nuk mund ta fshijë nga kujtesa e një kombi, pavarësisht shtypjes që mund t’i bëhet atij.
Kohët e motet derdhin nga një nëntor,
Vjeshtë më vjeshtë atdheu feston lindjen;
Në çdo vend e skutë arbërorë të ndarë,
Festohet dita e Flamurit Kombëtar.
Kjo ndenjë atdhedashurie vazhdon të gdhendet bukur dhe në poezinë “Shqiponja”.
Korbat e zi rreth e rrotull në fqinjësi
Dykrenares shqiponjë ia kanë zili.
Tashmë është e qartë që misioni i poetit në këtë vëllim poetik është përcjellja e atdhedashurisë. Skalitja e cilësive dhe vlerave kombëtare që i kanë qëndruar dhe nuk janë zhbërë në stuhitë e kohës.
E tillë është dhe poezia “LIND NJË DËSHIRË” në të cilën shprehet qartë dashuria për të qenë një dhe të vetëm, si në kohët e lashta kur kjo tokë quhet Iliri, por që përsëri mbetet me këtë emër krenar dhe fisnik, pavarësisht çfarë historia padrejtësisht i ofroi kësaj toke kreshnike dhe martire.
Lind një dëshirë
Si feniks nga hiri:
T’i bashkojë trojet,
Kërkon Iliri.
Duke kaluar nga një poezi në tjetrën tema e atdhedasurisë, e historisë sonë kombëtare, të përpjekjeve për mbijetese trajtohet me tematika të përzgjedhura me kujdes, por të arrira artistikisht.
Por poeti Maliqi nuk kërkon që të kalojë masën me trajtimin e kësaj teme. Ai ka dhënë aq sa duhet për këtë moshë dhe më pas kalon në ditët e netët që kalon një fëmijë. Niset me ardhjen e një dite të re që shoqërohet me këngën e një e një gjeli, lajmëtarit të mbarimit të natës dhe fillimin e një agimi të ri.
Çdo mëngjes agimi dritëson,
Me këngë të gjelit dita fillon.
Por në poezinë e Maliqit gjejmë dhe ëndrrat e fëmijëve për jetën e tyre dhe pse të vegjël, por edhe shqetësimin e Nitit të vogwl cili ka një problem shumë të madh.
A e dini cili është?
Niti i vogël
Mezi rri në këmbë
Ka zjarrmi në gojë
Do t’i dalë një dhëmb
Sigurisht, ka një tërësinë poezish që do të merrnin kohën e duhur në analizë dhe në diskutim të tyre. E rëndësishme është që poeti Bilal Malliqi ka bërë një përjekje të mirë dhe serioze për të dhënë në duart e fëmijëve një vepër të pastër nga aspekti gjuhësor dhe artistik.
Në kushtet në të cilat të gjithë e dinë jetojnë e punojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës, por jo vetëm, meriton të thuhet: Falemnderit shqiptarit të mirë dhe të ndershëm Bilall Maliqi që mendon shqip, shkruan shqip dhe flet shqip për fëmijët.