DYLON

Në Ecohigjienë do të ketë sërish greva të punëtorëve

greva
Avatar photo Redaksia

Përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët në Ecohigjiena duket se nuk po japin fryt, për vet faktin se sërish është paralajmëruar greva e punëtorëve.

Mësohet se greva do të filloi të martën me 28 shkurt dhe do të jetë njëorëshe dhe do të mbahet në objektin e Administratës së Ecohigjienës.

Këshilli i Punëtorëve të “Ecohigjiena”, për këtë vendim të tyre ka njoftuar edhe menaxhmentin e Kompanisë Ecohigjiena, Bordin e Drejtorëve si dhe Komisionin Komunal të Aksionarëve, por ka vënë në dijeni edhe Kryetarin e Komunës Lutfi Haziri, Drejtorin e Zhvillimit Ekonomik Agim Zuzaku, Prokurorinë Themelore në Gjilan .Jetish Maloku dhe Stacionit Policor në Gjilan, komandantin Remzi Azemi, bëhet e ditur në shkresën e këtij Këshilli.

EkoHigjiena

Në të thuhet: “Ju njoftojmë lidhur me vendimin e marrë nga Këshilli I punëtorëve dhe punëtorët e kompanisë. Për shkak të pakënaqësive të punëtorëve për mos vazhdimin e kontratave të punës për 17 punëtorët, tentimin për zëvendësimin me punëtorë tjerë të rinj, mosmarrjen e pagave me kohë dhe dënimet me nga 100 Euro minus (56 orë punë) që janë bërë mbi 100 punëtorëve për muajin Janar, presionet dhe shantazhet e vazhdueshme që po na bëhen nga Senad Ramaj dhe Gerhard Dummer si dhe shterjen e të gjitha mundësive që përmes bisedimeve me menaxhmentin të arrihet një zgjidhje dhe mirëkuptim për problemet tona që një kohë të gjatë,duke u mbështetur në të drejtën tonë për të bërë grevë në përputhje me Ligjin për Greva NR.03/L-200 dhe Ligjin NR 04/119 , Këshilli I punëtorëve në takimin e mbajtur me punëtorët më datë 20.02.2017 ka marrë vendim që duke filluar nga data 28.02.2017 (e Martë), të fillojmë Grevë Njëorëshe”

Përndryshe mësohet se kërkesat e këtij Këshilli janë:

  • Anulimin e aktvendimeve të paligjshëm për 17 punëtorët, respektimi marrëveshjes PPP
  • Kontrata të punës sipas Ligjit të Punës në Republikën e Kosovës,
  • Ndalja e diskriminimit dhe shantazheve të përditshme që po na bëhet nga ana e menaxhmentit

Përndryshe, vendi i mbajtjes së grevës është në objektin e administratës të Ecohigjiena në Gjilan. Orari i mbajtjes së grevës do të jetë nga ora 09:00 deri ora 10:00, derisa Këshilli pret pjesëmarrjen në grevë të 110 – 120 punëtorëve.

Po ashtu thuhet se greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre, ndërsa për mbarëvajtjen e qetë të grevës do të përkujdeset këshilli grevist.