Për asociacionin e komunave serbe, dhe rreziqet që një strukturë e tillë organizative mund të paraqesë, është folur mjaft në media, gazeta, portale dhe tryeza të ndryshme politike , shkencore e jo shkencore.
Shkruan: Bekim Thaqi
Në të gjitha rastet ka pasur kritika dhe vërejtje me vend, sepse nëse krijohet nje entitet i tillë mund të paraqesë probleme të numërta, ndoshta jo imediate, por që mund të eskalojnë me kohë dhe ta rrezikojnë edhe vetë shtetësinë e vendit, dhe në këtë mënyrë të paraqesë një atak të drejtpërdrejtë mbi sigurinë nacionale të vendit.
Nga ana tjetër asociacioni është nje obligim që rrjedh edhe nga pakoja e Ahtisarit dhe si e tillë duhet të përmbushet. Shtrohet pyetja si të veprohet në këtë rast?
1. Asociacioni i komunave serbe të formohet në atë mënyrë që është në përputhje të plotë dhe duke i respektuar ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës pikë për pikë.
T’i shpjegohen arsyet bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka investuar në Kosovën si një tërësi, dhe ti paraqesim fakte se pse nuk mundet assesi te bëhet ndryshe pasi rrezikojmë bosnjëzimin dhe ndarjen e Kosovës, e që kjo më pastaj do të ishte një fuqi baruti dhe element për një destabilitet të gjithë Ballkanit Perëndimor përfshirë edhe vendet që janë në NATO dhe ato që pritet të bëhen anëtare.
Pra mos të lejohet që të ketë ingerenca ekzekutive jashtë atyre qe përcaktohen me kornizën kushtetuese dhe ligjet në fuqi duke pasur gjithmonë si argumente ato që u përmenden më lartë. Ndërkohë të jepen garanca dhe mundësohen lehtësira për komunat serbe në ato sfera ku nuk cenohet sovraniteti i Kosovës dhe siguria nacionale.
2. Të ndërlidhet krijimi i asociacionit, si dhe të kushtëzohet në të njëjtën kohë me formimin e Ushtrisë së Kosovës, me ingerenca të plota në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Pra asociacioni do votohej në kuvend nga shumica shqiptare, dhe lista serbe në pako me Ushtrinë e Kosovës dhe kjo do të ishte një lloj kompromisi që do të mund ti kënaqte dy palët.
Serbet do e merrnin një asociacion me lehtësira te ndryshme( ekonomike-tregtare), të krijuara për komunat me shumicë serbe, dhe shqiptarët do e fitonin ushtrinë e cila është me se e domosdoshme dhe element stabilizues për vendin dhe rajonin.
3. Për palën shqiptare ndërlidhja e këtyre dy çështjeve dhe zgjidhja e tyre në këtë mënyrë, do të ishte si të godasësh dy caqe me një gurë të vetëm.
Kjo do të mund të shërbente edhe si bazë për vazhdimin e bisedimeve me shtetin serb, ku tashmë Kosova me ushtrinë e vet do të ishte me e konsoliduar, por edhe me e qetë në raport me bashkësinë ndërkombëtare duke pas si argument se Asociacioni i Komunave Serbe është krijuar dhe nuk paraqet problem, dhe në këtë mënyre duke e forcuar pozitën e vet negociuese, dhe duke kërkuar të drejta më të mëdha edhe për shqiptaret në luginën e Preshevës.
Kjo mënyrë e të vepruarit, bashkë me masat tjera do të paraqiste një zgjidhje të qëndrueshme afatgjate dhe stabilizuese për Kosovën dhe rajonin, deri në njohjen përfundimtare të vendit tonë nga shteti fqinj.