Asnjë xhudist nga Kosova nuk do të marrë pjesë në turneun Grand Prix të Zagrebit, që nis të premten (sot).
Trajneri Driton Kuka ka vendosur që të mos i dërgojë garuesit, ndonëse ishte paralajmëruar pjesëmarrja, për t’i kursyer nga lodhja, meqë për më pak se një muaj nis Kampionati Botëror në Tokio.
E sipas Kukës, fokusi i tij është që garuesit nga Kosova të përgatiten sa më mirë për këtë ngjarje, ku pret paraqitje të mira, natyrisht edhe medalje. Sipas Kukës, paraqitja e xhudistëve në lojërat evropiane “Minsk 2019” ua ka vënë kapakun të gjitha garave të këtij viti.
Në këtë ngjarje, tre prej katër xhudistëve u kthyen me medalje. Majlinda Kelmendi doli e artë, Nora Gjakova e argjendtë, kurse Loriana Kuka e bronztë.
Botërori në Tokio nis muajin e ardhshëm, më 25, dhe përfundon më 1 shtator.