(2LONLINE) – Ashpërsohet gjuha e komunikimit mes taborit pozitë dhe opozitë (PDK) n ëGjilan. Shkak zhvillimet në seancën e fundit , lëshimi i saj nga këshilltarët e PDK-së, pas të cilës kanë pasuar arsyetimet për veprimin e ndërmarrë, pastaj fajësimi i kryesueses nga PDK, reagimi i kësaj të fundit dhe tani kundër reagimi i njërit prej këshilltarëve të PDK-së Riad Rashiti, i cili madje e ka nisur kundër reagimin e tij me shprehjen “kryesuese mos gënje”
Shih shkrimet e mëparshme:
Këshilltarët e PDK-së braktisin seancën
“U ndiem të fyer se si drejtohej seanca nga kryesuesja KK-së”
“PDK ja e ka problem tkurrjen e saj andaj inskenon mungesën e demokracisë në Kuvend”
Ndërsa më poshtë po japim në tërësi edhe kundër reagimin e Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit Komunal Gjilan
*
‘Definitivisht kjo qeverisje lokale nuk ka ide dhe ende nuk po e kupton se ka marr përgjegjësi nga qytetari i Gjilanit për të qeverisur me institucionet komunale. Edhe pse kanë kaluar afër katër muaj të marrjes së pushtetit, ne ende nuk kemi parë tjetër nga kjo qeverisje pos vazhdim i fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare dhe gënjeshtrave, shpifjeve dhe manipulimit të opinionit duke filluar nga kryetari i komunës Lutfi Haziri, disa nga drejtorët komunal dhe këtë shkollë siç duket dëshiron ta përvetësojë edhe kryesuesja e Kuvendit Komunal znj.Valentina Bunjaku, e cila është munduar të konstatojë arsyen e lëshimit të seancës nga Këshilltarët Komunal të PDK-së.
Aspak nuk është e vërtet që në këtë seancë këshilltarët e PDK-së kanë marrë fjalën nga dy-tri herë, më shumë se sa parashihet në rregulloren e punës së Kuvendit, andaj nuk i bënë nderë asaj dhe nuk është mirë që si kryesuese e pa përvojë në punën e Kuvendit Komunal, të fillojë të gënjejë opinionin për ato që zhvillohen në seancat e Kuvendit Komunal, sepse të gjithë e dijnë mirë, se ato transmetohen drejtpërdrejtë në radio lokale, por edhe fare lehtë vërtetohen në incizimet e secilës seancë të cilat ruhen në arhivë. Le të dëshmojë këtë që po e deklaron ajo, por e vërteta është se vetëm nga një herë e kemi marrur fjalën për këtë pikë të rendit të ditës, ndërsa disa këshilltarëve komunal të PDK-së asnjëherë nuk iu është dhënë fjala sikurse Leonora Bunjakut e Fatbardha Selmanit edhe pse ato nga disa herë kishin kërkuar fjalën.
Konstatimi i kryesueses se ne kemi inskenuar me rastin e lëshuarjes së seancës, është vërtet e turpshme. Juve si kryesuese e Kuvendit dhe këshilltarëve tjerë komunal të LDK-së aspak nuk ju takon që në seancat e Kuvendit Komunal të merreni me ndonjë nga partitë politike. Nuk është hera e parë që ju merreni me PDK-në në seanca dhe bëni provokime ndaj nesh, sikurse i shefit të grupit të këshilltarëve të LDK-së i cili në këtë seancë bëri provokimin e radhës, për të cilën ju sigurojë se më nuk do të mund të bëni gjëra të tilla, sepse ka forma ligjore me të cilat ju do të detyroheni të ndaleni provokimet e juaja.
Ne kemi lëshuar seancën e Kuvendit Komunal sepse ju keni nevojë të vetëdijësoheni se si duhet të udhëhiqet një seancë e Kuvendit Komunal, pasi që ende nuk keni njohuritë elementare dhe keni mungesë të përvojës. Jemi të bindur se ju si kryesuese as nuk e paskeni lexuar rregulloren e punës së Kuvendit Komunal. Ndërsa jeni të obliguar që ta respektoni atë dhe jam i bindur që do ta respektoni më ndryshe këtë rregullore nga seancat e ardhshme të Kuvendit Komunal, sepse më nuk do të ju lejojmë dhe do të detyroheni të udhëhiqni seancën e Kuvendit ashtu siç e keni të përshkruar në statut të komunës dhe në rregulloren e punës së kuvendit.
Por për hir të vërtetës para opinionit publik, jam i detyruar që ti bëjë edhe disa sqarime shtesë. Sepse ju keni ndërprerë pikën e rendit të ditës duke kërkuar pauzë, porsa ka përfunduar fjalimin e tij kryetari i komunës, ndërsa pas pauzës ju kërkuat mbylljen e diskutimeve edhe pse disa nga këshilltarët komunal asnjëherë ende nuk e kishin marr fjalën edhe pse e kishin kërkuar për kohë të gjatë.
Ne jemi të vetëdijshëm që pyetjeve tona, nuk ishte në gjendje të ju përgjigjej kryetari i komunës, drejtorët komunal dhe ju si kryesuese e Kuvendit, por ne nuk jemi fajtorë.
Ne kërkonim vetëm të vërtetën dhe argumente për atë që ju flisnit, ndërsa ju para kuvendit dhe opinionit paraqitni të pavërteta.
Normalisht që kryetari i komunës i quante fantome, pyetjet lidhur me aktakuzën e EULEKS-it që e ka bërë për kryetarin e komunës Lutfi Haziri lidhur me ekzistimin e dëshmive për transaksionin e realizuar për privatizimin e fabrikës së radiatorëve, për 10 përqind të blerjes së aksioneve nga ana e kryetarit, i cili në atë kohë ishte në pozitën e ministrit të MAPL-së.
Normalisht që as ju nuk dëshironit të ju pyesnim mbi largimet e punëtorëve në komunë si dhe për arsyet e shkarkimit të dy komisioneve të ndërmarrjeve publike dhe efektet të cilat janë dhënë pas këtij vendimi.
Ju duke pritur pyetjet tona të radhës edhe ndaj jush si kryesuese lidhur me punësimet familjare të LDK-së, të cilat po ndodhin në këto ndërmarrje publike dhe në institucionet tjera pa konkurse dhe pa asnjë kriter, sikurse rasti i punësimit të vëllait tuaj në kompaninë publike-private “Eko-Higjiena”, ju na e ndaluat dhe na mohuat marrjen e fjalës në seancë. Por ju sigurojë se këtë më asnjëherë nuk do të mund ta bëni.
Ne ju kuptojmë që ju si kryesuese e Kuvendit i keni orët e para të demokracisë, jeni duke mësuar ABC e funksionimit të mirëfilltë të një Kuvendi Komunal, por ne nuk do të lejojmë që ky institucion kaq i rëndësishëm të degradohet në atë nivel, derisa ju të aftësoheni se si duhet të menaxhohet puna e seancave të Kuvendit Komunal.
Ne kemi deklaruar se do të jemi opozitë konstruktive, në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Gjilanit dhe do të jemi monitorues efektiv të kësaj qeverisje për të mos shkelur ligjet e Kosovës, sikurse që ka ndodhë që në fillim, duke ua tërhequr vërejtjen kryetarit të komunës dhe kryesueses së Kuvendit për ndodhjen e konfliktit të interesit për Këshilltaren Komunale të LDK-së znj.Florina Jerliut, e cila ka dhënë dorëheqje të detyruar ligjore, ndërsa këtë konflikt interesi kjo qeverisje e mbronte kur ne e kemi ngritur si çështje në seancë të Kuvendit Komunal”.
/Riad Rashiti, Anëtar i Kuvendit Komunal Gjilan/