Jonida Sheholli
ASAJ QË NISË E S’KA FUND
( Cikël poetik me motive dashurie )
DUA TË IKI QË KËTU
Dua të iki që këtu
Të marshoj rrugës së gjatë
Asaj që nisë e s’ka fund
Në pistë le të pres mijëra vjet
Veç kur të nisem, vija ajrore e zemrës
Le të mos shkëputet
Le të krijojë kapilarëve të gjakut,
Miliona grimca dashurie
Ashtu të udhëtoj e të mos humbas drejtimin
Në ndodhtë të shkëputet kjo vijë
Njëherë në njëqind vjet
Paqësisht do ngrihem e ngjitem qiellit përpjetë
Këtu të gjitha shpresat më janë ndryshkur
Në këtë kohë krizash globale e kalbësirash
Gjaku më është ngurtësuar
Pikë ngjyre në fytyrë s’ka ngelur
Shpëtimi i vetëm është gjetja e rrugës së përjetshme
për tek ai
Syçkat e tij të gjelbër më shpërngulin prej këndej
Në qiellin e tyre gjelbërosh
Të jetoj natë e ditë
Edhe kur të hapen kapakët e atyre syve,
Edhe kur të mbyllen
Përhershëm në ta të mbes dua
Për hir të gjetheve zverdhuar prej lotsh,
Që kanë filluar ta marrin fushën…!
NGRICAT E ZEMRËS
Fluskat e borës bien topthash të bardhë
Zbresin nga hapësirë e gjithësisë
Rrjedhojë ndryshimesh meteorologjike
E vend zënë rrethinave të shpirtit
Që nuk duket as preket
Veç ndjen, ndrydhet e dhemb, vërshimeve të vetmisë
Reshje shiu me rrebesh,
Pikë-pikë ravijëzohen nëpër plagë të hapura
Si në xhamat e dritarës
E copat e thyera që dihasin
Ngacmohen pamëshirshëm nga shiu
E djegin kërcave nëpër çdo pjesë muskuli të trupit
Dëllinja nostalgjie shkunden
Nga pejzat e purpurta të zemrës që flakin
Oh, kur bie shi, plagët nuk i dezinfekton asnjë preparat
E as alkooli
Kur shi e borë përzihen
Shputat e mërdhira dridhen si thupra
Po ç’t’i bëhet borës me densitet të lartë
E cila po reshë ftohtësi portës sime
Ku e vetme, pres diellin e pranverës
T’më ngroh pore më pore
E ai i korrikut, t’m’i zjarrmojë përmallimet e mia
T’i kripos detit të Adriatikut e t’ia ekspozoj rrezës lazdarake
T’i thajë këto ndjenja e t’i bëjë arrë
Disi ta mposht këtë mall dhe të bëhem gati për vjeshtën
Që të kuqrremtë e krijon pamjen time
E psherëtimat e njoma, m’i bartë erë harrese
Mëngjeseve i lagë bryma
Deri në mbrëmje, mjegull bëhen
Urrej dimrin që vjen sërish
E shtojcat e shpresës m’i ngrin shtresave të borës
Dhe veriu që frynë
Akull bën pjesën qëndrore e më të ndjeshme të zemrës;
Dashurinë.
E dërrmuar, pres diellin e shkrifët dhe puhizën ledhatare…!
ËNDRRA PËR PUTHJEN E PARË
Ai matanë lumit, unë këtej kodrës
Vështrojmë
Valëve të lumit zë i gurgullimave të ujit i bëhem
Në tufa lulesh që çelin e s’thahen kurrë e shoh
Frymëmarrjet i falen natyrës, derisa të arrijnë tek njëri-tjetri
Xhelozia ia behë andej pari dielli fshihet nën re
Qëndron vëngër e nga inati terri mbërrin shpejt
Prej kodrës prek hënën e nën të, bie në kllapi
Mbi një gurë pran lumit, një gjumë i thellë e zë
Ëndrrash me thonjë gërryen gurin,
Në formë buzësh si në kohërat e lashta
Skulptor bëhet
Unë nën hënë, imagjinoj buzët e tij
Në mëngjes herët, zogu i agimit
Dritareve të padukshme të shpirtit
Orën e zgjimit e zbardhëllon me puthjen e parë
MENDOJ PËR TY
Mendoj për ty
Jam në ty
Jam me ty
Kështu ma lexon poezia ime
Heshtja s’e nxjerr dot prej gojës
Por me ty të do rrojmë përjetësisht të rinj,
Siç jemi tani
Jam dehur në ty
Secilës fjalë e varg
O Perëndi,
Me ç’fat më bekove?