Ilir Muharremi, kritik i artit
Edicioni i dytë i “Festivalit të Këngës” në Kosovë- Prishtinë hapi siparin me një natë magjike muzikore, që e ngriti atmosferën për një javë të mbushur me performanca të fuqishme dhe të shumëpritura nga artistët më të njohur dhe të rinjtë premtues të skenës shqiptare.
I njohur për traditën e tij të ruajtjes dhe promovimit të muzikës së mirëfilltë shqiptare, ky festival shënon një vazhdimësi të “Akordeve të Kosovës” dhe përfaqëson një platformë të jashtëzakonshme artistike.
Gjatë tri netëve të festivalit, do të ngjiten në skenë 16 artistë, të rinj dhe me përvojë, të cilët do të garojnë për çmimin e parë, ndërsa spektakli përfshin dhe performanca nga këngëtarë të shquar shqiptarë dhe të ftuar të tjerë të veçantë, që ndërthurin artin tradicional dhe atë modern në një mbrëmje të mbushur me pasion, kreativitet dhe mjeshtëri artistike.
Mbrëmjen e parë, skena u ndriçua nga një shfaqje e koreografuar me kujdes, ku Aurela Gaçe, në një fustan të kuq të zjarrtë, ngriti audiencën në këmbë me performancën e saj energjike dhe vokalin e saj të fuqishëm, duke i dhënë natës një dozë të pakrahasueshme elektrizimi. E njohur për praninë e saj të papërsëritshme në skenë, Gaçe siguroi që performanca e saj të mbetej në kujtesën e publikut si një nga kulminacionet e festivalit.
Po ashtu, Ardit Stafaj solli një interpretim të ngrohtë e të veçantë, duke mbushur skenën me ndjeshmërinë e tij unike dhe teknikën e spikatur vokale. Përgjatë interpretimit të tij, Stafaj transmetoi emocione të thella dhe autenticitet, që u përshëndetën me duartrokitje të zjarrta nga publiku.
Grupi legjendar Elita 5 elektrizoi mbrëmjen me repertorin e tyre klasik rock, duke krijuar një lidhje të fuqishme me audiencën dhe duke i dhuruar publikut një përvojë muzikore të veçantë, që tejkalon kufijtë e kohës. Shpirti i zhanrit dhe karizma e grupit krijuan një atmosferë të zjarrtë e të paharrueshme.
Një moment emocionues ishte edhe performanca e një këngëtari arbëreshë, i cili solli melodi të pastra dhe autentike, duke përcjellë trashëgiminë e tyre muzikore që ruan identitetin kulturor dhe frymën e hershme shqiptare. Këngët e tyre u interpretuan me një përkushtim të rrallë, duke krijuar një ndjesi nostalgjie dhe krenarie për rrënjët dhe vlerat e përbashkëta kulturore.
Mbështetja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për këtë festival dëshmon rëndësinë që i kushtohet ruajtjes dhe zhvillimit të kulturës shqiptare, ndërsa ky organizim madhështor përforcon përkushtimin për t’i dhënë hapësirë dhe mbështetje artistëve të talentuar që përfaqësojnë kulturën tonë në një nivel të lartë. /2LONLINE/