Valencia triumfoi me rezultat 2:1 ndaj Real Madridit mbrëmë në Mestalla dhe trajneri i skuadrës e ka pranuar se e kishte të vështirë t’i motivojë lojtarët për këtë ndeshje.
Zinedine Zidane e ka sqaruar disfatën e tij të parë që nga riemërimi në pozitën e trajnerit me arsyetimin për mungesë motivimi te lojtarët.
“Ata do të tentojnë ta përfundojnë sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne do t’i kalojmë disa muaj në të cilët do të flasim për tema të ndryshme. Është e vërtetë që ndoshta në këto ndeshje na mungon motivimi”, ka thënë Zidane.
Real Madridi është 13 pikë prapa lideres së ligës, Barcelonës, mirëpo është 11 pikë para Valencias, që renditet në pozitën e pestë në La Liga. Kjo bën që ndeshja të mos kishte shumë vlerë për klubin madrilen.