Zëvendëskryetari i Komunës së Bujanocit, Stojança Arsiq, paralajmëron se zgjedhjet e ardhshme lokale nuk do të zhvillohet si ato të vitit 2012-të. Kërkon vëzhgues në çdo vendvotim deri në numërimin e votës së fundit.
Duke folur për motivimin e lartë të shqiptarëve dhe serbëve, ta paktën që e kishin deri tani, për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjeve lokale, zëvendëskryetari i Komunës së Bujanocit, Stojança Arsiq, kërkon që para zgjedhjeve që do të mbahen pranverën e vitit 2016, të azhurnohen listat votuese.
“Nuk them që azhurnimi i këtyre listave të bëhet vetëm tek shqiptarët, por edhe tek serbët, pasi kemi njerëz të cilët kanë vdekur apo nuk jetojnë këtu, mirëpo që figurojnë në listën e votuese”, u shpreh Arsiq gjatë qëndrimit në redaksinë e portalit informativ Titulli.com.
“Ajo që është më themelore, në zgjedhjet e ardhshme, në çdo vendvotim do të ketë vëzhgues të pavarur siç është CESID, apo ndërkombëtar, deri në numërimin e votave të fundit, që njëherë të zhvillojmë zgjedhje të drejta dhe të vërteta”, shprehet zëvendëskryetari.
Ai tha se në zgjedhjet e deritanishme ka pasur shumë parregullsi në procesin e votimit, si në zgjedhjet lokale ashtu edhe në ato parlamentare, andaj ka frikë që mos të mbetet kjo si praktikë përgjithmonë.
“Me këtë do të ndërpritej praktika e harxhimit të energjisë së tepërt në ate se kush është më i fortë e kush më i dobët, duke iu kthyer zhvillimit”, theksoi Arsiq.
Zëvendëskryetari gjithashtu kërkon regjistrim të popullsisë në Komunë të Bujanocit, pasi regjistrimin e fundit të vitit 2011 e kishin bojkotuar shqiptarët.
I pyetur se mos po mendon se ka më shumë serb se shqiptarë në Bujanoc, ai u përgjigj:
“Nuk po them se ka më shumë serb se shqiptarë, mirëpo dëshirojmë të dimë numrin e saktë, nëse ka më shumë shqiptarë atëherë sa janë, ka kaq romë-të shohim sa janë ata. Në qoftë se Romët do të dilnin të gjithë në zgjedhje atëherë ata do të fitonin pesë këshilltarë komunal. Ndërsa për 10 vite serbët dhe shqiptarët do të bashkohen për t’i fituar romët. Situata është duke shkuar në këtë drejtim”, u shpreh zëvendëskryetari i Komunës së Bujanocit.