Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, së bashku me Shyqeri Sadiku, kryetar i Sindikatës së Minatorëve të “Trepçës” dhe i Këshillit Grevist kanë nënshkruar sot një marrëveshje gjashtë pikëshe me të cilën nisë trajtimi i të gjitha kërkesave të minatorëve dhe njëkohësisht ndalohet greva e minatorëve e nisur para pesë ditësh në Stantërg.
Takimi që zgjati më shumë se pesë orë është udhëhequr nga ministri Valdrin Lluka, ndërsa aty morën pjesë edhe Gazmend Abrashi, këshilltar i Kryeministrit, Shyqeri Sadiku, kryetar i sindikatës dhe i Këshillit Grevist të Minatorëve, së bashku me tre anëtarë të tjerë dhe Miftar Hyseni, u.d. i kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”.
Pas një debati përmbajtjesorë dhe konstruktiv rreth kërkesave, të cilat kryesisht ndërlidhen me procesin e miratimit dhe me përmbajtjen e Projekt- Statutit të Ndërmarrjet ”Trepca” sh.a., pjesëmarrësit u pajtuan për hapat që duhet ndërmarrë me qëllim të tejkalimit të situatës aktuale në “Trepçë” dhe ndërprerjes së grevës së minatorëve.
Pjesëmarrësit në këtë debat, plotësisht u pajtuan që me propozimin e menaxhmentit aktual të “Trepçës”, Qeveria të vendos që vendburimi Zjaça, të hiqet nga zonat e interesit të veçantë; të formohet një grup ndërinstitucional i ekspertëve, i cili duhet të ofroj propozimin që në kuadër të ndërmarrjes “Trepça” të përfshihen edhe asetet fizibile të cilat aktualisht nuk janë të përfshira në Projekt-Statutin e ndërmarrjes, dhe formimin e një grupi punues që do të ofrojë zgjidhje për kërkesat sociale që kanë minatorët e ndërmarrjes, të cilat duhet të trajtohen me ligj të veçantë.
Sipas Marrëveshjes, grupet punuese dhe të ekspertëve do të formohen më së largu deri të premten më 24.07.2018;
Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje Këshilli Grevist i Minatorëve të “Trepçës” është pajtuar për ndërprerjen e grevës për tre muaj.