(2L ONLINE) – Organizatat Studentore Unioni i Studentëve Pro Europian(USPE), Opinioni i Pavarur i Studenteve (OPS), Unioni i Pavarur i Studentëve të Kosovës (UPSK) dhe Fryma e Re Studentore e Universitetit të Prishtinës (FER-UP), sot arritën marrëveshje për udhëheqjen e Parlamentit Studentor dhe Këshillave Studentore në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, për mandatin dy vjeçar 2014/2016, ka bërë të ditur Mejdi Sadiku sekretar i USPE.
Sipas tij, në bazë të marrëveshjes së arritur, kryetar i Parlamentit Studentor të UP-së në mandatin e parë do të jetë Arben Mehmeti.
“Organizatat e lartëcekura kanë arritur pëlqimet e tyre programore për të intensifikuar aktivitetin studentore, duke kontribuar në ngritje të cilësisë së studimeve, ngritje të kapaciteteve akademike dhe profesionale, bashkëpunim ndërkombëtarë, e shumë të tjera. Mbetemi të përkushtuar që studentët të kenë përfaqësim dinjitoz në mbrojtje të të drejtave dhe interesave të studentëve”, thotë Sadiku. /2L ONLINE/