E kishte parkuar veturën keq. Erdhi policia dhe donte ta dënonte me tiketë gjobitëse, por pas policisë erdhi edhe burri i drejtueses së automjetit, që duket se nuk pajtohej me këtë dhe ( gjithnjë sipas raportit policor) kishte filluar t’i ofendonte policët, madje një police e kapi edhe për uniforme.
E, kur erdhën përforcimet, i dyshuari u vu nën kontroll, u arrestua, u fut në veturën policore për t’u dërguar në stacion. Por, ai edhe në veturë kishte vazhduar njëjtë. Tani i dyshuari është ndalur në mbajtje për 48 orë dhe rasti po procedohet tutje.
Nënkolonel Shaban Azizi, zëvendësdrejtor Rajonal në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjilan ka bërë me dije se derisa zyrtarët policor të njësitit sektorial kanë qenë në detyrë zyrtare në rrugën”Xhon Sereçi” në Gjilan, gjatë shqiptimit të kundërvajtjes për parkim të palejuar një qytetareje, ka ardhur burri i saj, i dyshuari, i cili ka penguar policët në kryerjen e detyrave zyrtare, duke i ofenduar fillimisht me fjalë e pastaj njërën prej zyrtareve policore e ka kapur edhe për uniformë duke e sharë.
“Zyrtarët Policor kane kërkuar asistim edhe të një njësiti policor dhe të dyshuarin e kanë shoqëruar për në stacion. Edhe gjatë rrugës sa ishte në veturë, i dyshuari ka sharë dhe duke mos i kontrolluar veprimet e tij e kishte kap për uniforme edhe një zyrtar policor. Me urdhër të Prokurori të shtetit rasti është inicuar dhe klasifikuar “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare””, ka thënë nënkolonel Shaban Azizi.
Sipas tij, i dyshuari është ndalur në mbajtje për 48 orë, rasti i referohet Prokurorisë për procedim të mëtutjeshme.