Policia e Kosovës bazuar në informacionet e pranuara për vepër penale “Mashtrim”, përmes, Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë (NJRHKEK–Prishtinë) ka ndërmarrë veprime konkrete hetimore për zbardhjen e mashtrimeve të mundshme, për të cilat dyshohej se qytetarë të Republikës së Kosovës kanë rënë pre e tyre.
Lidhur me rastin pas hetimeve disa mujore është konstatuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari shtetas i huaj me iniciale (J. L.) pronar i një “agjencioni”, ka kryer veprën penale “mashtrim” pasi përmes paraqitjes se fakteve të rreme, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete në mënyrë të kundërligjshme ka vënë në lajthim qytetarë të ndryshëm të Republikës së Kosovës se rregullon viza pune për në një shtet të BE-së duke dëmtuar qytetarët që kanë aplikuar për rregullimin e vizave të punës, secilin prej tyre në vlerë prej 150 deri në 300 euro. Prandaj, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari ka përfituar rreth 11.000 (njëmbëdhjetë mijë euro), duke mashtruar mbi 70 persona.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore të nevojshme, përfshirë sigurimin e dëshmive dhe intervistimin e palëve (viktimave), si dhe intervistimin e personit të dyshuar shtetas i huaj me iniciale (J. L.), në prezencën e avokatit mbrojtës, në konsultim me Prokurorin Kujdestar, i dyshuari (J.L.) dërgohet në mbajtje prej 48 orëve.
Policia e Kosovës inkurajon të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të jenë të kujdesshëm dhe mos të bien pre e mashtrimeve të çfardo lloji, por për çdo dyshim apo informacion që mund të jet i rëndësishëm për parandalimin e rasteve të tilla të mashtrimit të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, në mënyrë që kryesit e këtyre veprave penale të sillen para drejtësisë.