Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit–Ferizaj, sot më datë 14.01.2022 pas veprimeve të ndërmarra në grumbullimin e provave, ka intervistuar një të dyshuar në lidhje me dyshimet për “Keqpërdorim i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar”.
Personi i dyshuar, punonjës i Spitalit Rajonal në Ferizaj, dyshohet se kishte furnizuar me derivate automjetin e tij privat, në kompaninë e derivateve e cila ishte kontraktuar për Spitalin Rajonal në Ferizaj, ndërsa faturat i kishte dorëzuar në sektorin e financave të Spitalit Rajonal Ferizaj për pagesë. Bazuar në këto të gjetura i njëjti dyshohet se e ka keqpërdorur buxhetin e Spitalit Rajonal-Ferizaj, duke e keqpërdor detyrën dhe autoritetin e tij zyrtare.
I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës, dhe me aktvendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.