Policia e Kosovës, njësitet e hetimeve nga stacioni policor i Vitisë, pas një pune të gjatë që kanë bërë në hetimin e veprave penale të “Vjedhjeve” dhe “Vjedhjeve të rënda” kanë arritur të zbulojnë një rast ‘’Vjedhje e rëndë’’ dhe një tjetër rast ‘’ Vjedhje e rëndë në tentative’’ që kishin ndodhur gjatë vitit 2018 në kishën katolike të Letnicës, komuna Viti.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka thënë se sot nga ana e policisë së Kosovës është lokalizuar dhe arrestuar një i dyshuar, shqiptar shtetas i Kosovës, i cili dyshohet të jetë i involvuar në këto vepra penale.
“I njëjti është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe janë gjet fakte të qëndrueshme se i dyshuari pasi që kishte depërtuar me forcë brenda objektit të kishës katolike në Letnicë, dyshohet se nga aty ka marrë para në vlerë prej 130 euro (kartëmonedha dhe para të metalta).
Në rastin e dytë që kishte ndodhe, pas një kohe, po në vitin 2018, në të njëjtin lokacion, i dyshuari ka tentuar që të depërtojë po me forcë, mirëpo pasi që është aktivizuar alarmi, i njëjti është larguar nga vendi i ngjarjes dhe rasti ka mbet në tentativë.
“Policia e Kosovës stacioni policor në Viti, është mirënjohëse dhe falënderon qytetarët për bashkëpunimin drejtë zbulimit të veprave penale që paraqiten në zonën e përgjegjësisë të komunës së Vitisë, falë këtij bashkëpunimi me qytetarët vetëm gjatë muajit dhjetor njësitet e hetimeve kanë arrit që t’i zbuloje edhe gjashtë raste të tjera të “vjedhjeve”, thotë zëdhënësi Hashani.
“Policia e Kosovës është e përkushtuar që të punojë dhe veproj në krijimin e një ambienti të qetë dhe prosperues për të gjithë qytetarët e saj”, ka thënë zëdhënësi Ismet Hashani.