Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit pas një hetimi të gjatë të iniciuar në fillim të vitit 2018, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, sot ka realizuar një operacion të gjerë policor i cili ka përfshirë rajonin e Prishtinës, Pejës dhe Gjakovës.
Operacioni policor i koduar ,,DALLGA” ka filluar në orët e hershme të mëngjesit, nën mbështetjen e Njësive për Reagim të Shpejtë, ku target i veprimeve hetimore dhe bastisjeve kanë qenë shtatë (7) lokacione, prej tyre pesë (5) në regjionin e Prishtinës, një (1) në regjionin e Pejës dhe një (1) në regjionin e Gjakovës.
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve policore janë arrestuar pesë (5) persona, përderisa dy (2) mbeten në kërkim policor:
I. O. viti i lindjes 1964 m/sh/k
I. B. viti i lindjes 1969 m/sh/k
A. Th. viti i lindjes 1979 m/sh/k
M. M. viti i lindjes 1980 m/sh/k
Rr. H. viti i lindjes 1979 m/sh/k
E. L. mbetet në kërkim policor
Z. J. mbetet në kërkim policor
Personat e lartcekur janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer vepra penale ‘fajde’, ‘detyrim’ dhe ‘mashtrim’, të cilët vite më parë kanë pasur qëllim përfitimin në mënyrë të kundërligjshme – joproporcionale të pasurisë së paluajtshme dhe të luajtshme (dy shtëpi në Prishtinë, një objekt, automjete dhe para).
Vlera e përgjithshme e përfituar në mënyra kundërligjore dyshohet/vlerësohet mbi 2.5 milionë euro, ndërsa dëmi i përgjithshëm i shkaktuar dyshohet se tejkalon vlerën prej 6 milion euro.
Në cilësi të provave materiale gjatë operacionit policor janë sekuestruar:
para të gatshme prej 10,250.00 €,
dokumente të ndryshme, kontrata të ndryshme të shitblerjeve,
telefona (tre Iphone X, një Iphone X Max, një Iphone 8, një Samasung,dy Nokia).
Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda dhe me aktvendim të tij, pesë (5) personat e dyshuar tanimë të arrestuar dërgohet në mbajtje për 48 orë, ndërsa dy (2) personat tjerë janë në kërkim policor.