Drejtoria Kundër Terrorizmit, në koordinim me Prokurorinë Speciale, pas hetimeve disamujore, sot, me datën 15/05/2023, ka ndërmarrë operacion policor në gjashtë lokacione, në rajonin e Pejës, Prishtinës dhe Gjilanit, për zbatimin e urdhëresës për kontroll, të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special.
Si rezultat i këtij operacioni, nën dyshimin e kryerjes së veprave penale ‘shtytje në kryerjen e veprës terroriste, sipas nenit 134 të KPRK-së’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, sipas nenit 366 të KPRK-së, janë arrestuar pesë persona të dyshuar (L. B., B. V., E. B., A. H. dhe A. S.), ndaj të cilëve janë duke vijuar procedurat ligjore.
Të dyshuarit e lartcekur janë të njohur për Policinë e Kosovës, si të dyshuar për përfshirjen e tyre të mëparshme në disa vepra tjera penale në rajonin e Pejës.
Në cilësinë e provave dhe dëshmive materiale janë sekuestruar:
• tri (3) revole,
• një armë automatike AK-47,
• një armë rekreative pneumatike,
• pajisje elektronike dhe dëshmi tjera relevante lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit ndalohen në ndalim policor, në kohëzgjatje prej 48 orëve. /2LONLINE/