Ditë më parë, një i moshuari vdiq në mes të rrugës, përgjatë rrugës magjistrale Gjilan – Ferizaj. Shtetasi i Maqedonisë, një 63 vjeçar, vuante nga një sëmundje kardiake.
Ai ishte alivanosur në rrugë, por ajo që kishte rënë në sy, madje kishte bërë që Prokuroria Themelore e Gjilanit të nis hetimet, ishte fakti se rasti ishte incizuar nga kamerat e një lokali pranë rrugës, ku u pa mungesa e ndihmës nga kalimtarë të rastit dhe ata që kalonin me automjetet e tyre atypari.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se është identifikuar njërin nga vozitësit e kamionetës i cili ka kaluar aty afër dhe nuk është ndalur për të ofruar ndihmë.
“Policia e Kosovës njësitet e hetimeve Rajonale në bazë të shënimeve dhe video inçizimeve të marra per rastin në fjalë, ku viktima ka vdekur në rrugë, dhe shihet se disa automjete vetëm kanë vazhduar rrugën dhe nuk i kanë ofruar ndihmë, është identifikuar njëri nga vozitësit e kamionetës, i cili ka kaluar aty afër dhe nuk është ndalur për të ofruar ndihmë”, ka thënë Hashani.
Sipas tij, personi i identifikuar është thirrur për intervistë dhe në konsultim me prokurorin e çështjes, i njëjti është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit nën prezencën e mbrojtësit të tij personal.
Ai akuzohet për veprën penale “Mosdhënia e ndihmës” në bazë të nenit 191 të KPRK, të njëjtit nga ana e prokurorit të shtetit iu ka lëshuar vendimi mbi ndalim policor për 48 orë.
Rasti është duke u hetuar.