Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se Policia e Kosovës, njësitet e hetimeve rajonale, pas një pune të gjatë hetimore në lidhje me dyshimet e bazuara për aksidentet e ndodhura në territorin e Republikës së Kosovës, kanë ndërmarrë një mori veprimesh operative (taktike/teknike), për të arritur në gjetjen dhe identifikimin e të gjithë personave të inkriminuar në veprat penale “Legalizim i Përmbajtjes së pavërtetë” dhe “Manipulimi me prova”.
Hashani ka thënë se hetimi në lidhje me këto ngjarje-dukuri që lidhen me aksidente të inskenuara (fiktive) të shkaktuara-përgatitura nga të dyshuarit E. D.(1988) femër shtetase e Kosovës si dhe të dyshuarit e poshtë shënuar që të gjithë meshkuj Shqiptar shtetas të Kosovës:
D.D. (1983
A.D. (1987
E.S. (1980)
S.S. (1971)
S.S. (1985)
B. L. (1986)
A.A. (1990)
“Ngjarjet janë zhvilluar në periudha të ndryshme kohore, por me fokus të veçantë prej vitit 2014 e tutje, ku kemi të përfshirë të dyshuarit në dhjetëra aksidente, ku disa prej tyre janë të përfshirë edhe deri në tridhjetë (30) aksidente (për person). Hetimi është zhvilluar në bashkëveprim me Prokurorin Themelore në Gjilan dhe në kuadër të veprimeve hetimore janë mbledhur të gjitha provat materiale të aksidenteve të regjistruara në këto lokacione si : Gjilan, Prishtinë, Ferizaj, Fushë-Kosovë, Pejë, Gjakovë dhe Prizren”, ka thënë Hashani.
Sipas tij, pas analizës së materialeve është arritur të identifikohen të dyshuarit e lartshënuar dhe po ashtu është konstatuar lidhja familjare e disave prej tyre dhe njohja shoqërore.
“Sot më 23 maj 2017 janë intervistuar të dyshuarit në prezencë të avokatëve mbrojtës, ku të njëjtit pranojnë veprat penale të kryera dhe mbështesin pjesën dërmuese të aksidenteve të ndodhura si të inskenuara dhe të planifikuara paraprakisht. Dhe shumat e përfitimit janë sjellë për person nga 100 Euro kur kemi të bëjmë me aksidente të inskenuara të natyrës së rëndomtë (mes dy automjeteve) deri në 400 Euro kur kemi të bëjmë me aksidente të inskenuara gjoja me lëndime trupore”, ka thënë tutje Hashani
Sipas tij, bazuar në dokumentimin e më sipërm Prokurori i shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin ndaj shtatë të dyshuarve në afat prej 48 orësh, ndërsa e dyshuara po ashtu e involvuar në këto veprime lirohet në procedurë të rregullte. Hetimet do të zgjerohen edhe në drejtim të të dyshuarve të tjerë të implikuar në veprat e ngjashme penale të po të njëjtës natyrë në lidhje me aksidentet e inskenuara.
Hetimet janë duke u kryer nga policia e Kosovës njësitet e hetimeve rajonale Drejtoria e Policisë së Kosovës në Gjilan.