Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se më 17 dhjetor, 2020, rreth orës 21:40 , është kontrolluar nga Policia e Kosovës, stacioni Policor në Viti një lokal në fshatin Kabash, komuna Viti, ku përgjatë kontrollit në një objekt përcjellës në shtëpinë e të dyshuarit Sh. D, brenda lokalit janë takuar shtatëmbëdhjetë persona të cilët kanë qenë duke luajtur letra bixhozi me çipa pokeri dhe para.
Zëdhënësi Hashani tha se personat e dyshuar, të gjithë të moshës madhore, janë sjellë në stacionin policor në Viti. Ndaj personave të takuar aty, janë shqiptuar kundërvajtja për mos respektim të masave anticovid dhe janë liruar më pastaj.
“Lidhur me rastin është njoftuar inspektori komunal i cili ka dalë në vendngjarje dhe ka mbyllur lokalin, ndërsa si dëshmi material janë konfiskuar 735 çipa pokeri, 15 komplete letra bixhozi dhe një fletore e evidencës së lojës”, ka thënë Hashani, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Sipas tij, i dyshuari, pronari I lokalit, është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me urdhër të Prokurorit të shtetit ai ndalohet në mbajtje për 48 orë.
Rasti procedohet në Prokurorinë Themelore. /2LONLINE.com