Në Gjilan u mbajt Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor i Lidhjes Rajonale të Futbollit të Gjilanit (LRFGJ), e ku Armend Misini mori besimin e delegatëve për të qenë kryetar i ri i LRFGJ-së me mandat katërvjeçar.
Delegatët e pranishëm në mbledhjen e këtij kuvendi ia dhanë besimin Misinit i cili tani në krye të LRFGJ-së ka marr përgjegjësi për riorganizimin e futbollit në këtë rajon.
Në fjalën e tij pas zgjedhjes në krye të LRFGJ-së, Misini ka shprehur falënderimin e tij për besimin e dhënë nga klubet dhe shoqatat e këtij rajoni.
Ai premtoi punë të palodhshme dhe siguroi delegatët se do të punojë me përkushtim maksimal për të avancuar infrastrukturën dhe kushtet e futbollit në rajonin e Gjilanit.
Misini ka thënë se në arritjen e këtyre objektivave do ta ketë përkrahjen e plotë të FFK-së.
“Jam i nderuar që kam marrë këtë detyrë të rëndësishme dhe premtoj se do të angazhohem plotësisht për përparimin e futbollit në rajon. Përveç projekteve konkrete për infrastrukturën, do të jem zëri i klubeve dhe do të punoj në organizimin më të mirë të garave regjionale”, ka theksuar Misini.
Përndryshe, në këtë Kuvend ishte i pranishëm edhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, si dhe figura të tjera të rëndësishme të futbollit të cilët janë shprehur të kënaqur për kandidaturën dhe zgjedhjen e Armend Misinit në krye të këtij rajoni.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka shprehur urimet e tij për kryerin e ri të LRFGJ-së, Armend Misinin dhe Bordin e ri, për të premtuar mbështetje të plotë nga Federata për riorganizimin e futbollit në Gjilan. /2LONLINE/