Së pari, atyre që zgjedhjet në Serbi i vlerësuan demokratike, dua t’ua bëj të ditur se kurrë nuk mund të ketë zgjedhje demokratike në një vend jodemokratik. Të pretendosh zgjedhje demokratike të dalë nga një shtet, i cili zhvillon politika etnoicidi mbi shqiptarët e Luginës së Preshevës për mua është humbje e kuptimit të politikës.
Kështu shprehet për Portalin 2LONLINE, Fatmir Arifi, kryetar i Lëvizjes për Integrim të Luginës së Preshevës, sipas të cilit, pa të drejtë, u vlerësuan si demokratike po ashtu edhe zgjedhjet e 11 dhjetorit në Maqedoni.
Ai tha se rritja e autoritarizmit në këto dy vende, i shpie ato më afër Lindjes dhe sjell probleme për stabilitetin e tërë rajonit. Të mos harrojmë: Serbia bashkë me Maqedoninë janë të vetmet shtete të Ballkanit që s’i kanë vënë sanksione Rusisë, pas aneksimit të Krimesë.
“Kur tashmë kemi rezultatet e raundit të parë të votimit, pamja finale e mozaikut të tërë, bëhet edhe më e qartë. Ky përbën rezultat të pritshëm për njohësit e mirë të zhvillimeve në rajonit. Madje, ekzistonte frika se EU do t’i dërgonte aksidentalisht mesazh urimi Vuçiqi gjashtë orë përpara mbylljes së vendvotimeve, siç bëri në vitin 2012 me Nikoliqin”, ka thënë Arifi.
Sipas tij, fitorja e Vuçiqi në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale është tregues i qartë për skenarin që pason. Në Serbi po instalohet sistemi i autoritarizmit, sipas modeleve të Erdogan dhe Putin.
“Ajo që duhet të na shqetësojë është marrëdhënia dinake e Vuçiqi me Perëndimin. Perëndimi shpreson në Vuçiqi se ai do ta afrojë Serbinë drejt Perëndimit, për ta parandaluar influencën ruse në gadishull, por harron se ai është ish-ministri i informacionit i periudhës më famëkeqe të Millosheviqit (1998-2000)”, ka thënë tutje Arifi.
Kreu i Lëvizjes për Integrim të Luginës së Preshevës tha se politika serbe kundrejt shqiptarëve është tradicionale e shtetërore dhe nuk është shquar për dallime pa marrë parasysh lidershipit. Politika e Vuçiqit është mjaft e parashikueshme meqenëse në postin president vjen nga posti i kryeministrit.
Pas gjithë asaj që ka bërë në Ballkan, Serbia nuk tërhiqet lehtë nga politikat e saj agresive kundrejt shqiptarëve. Madje, realisht ajo synon që edhe Republikën e Kosovës ta mbajë në krizë të përhershme përmes fuqizimit të kontrollit në pjesën e veriut të vendit.
Arifi tha se lëvizjet që kanë karakterizuar politikën serbe në raport me fqinjët në Ballkan, kanë krijuar dilema të shumta në opinionin politik dhe publik ndërkombëtar.
“Serbia ka synuar gjithnjë zhvillimin e politikave që të krijojë konteste që janë të lidhura me subjektivitetin ndërkombëtar e disa shteteve të dala nga shpërbërja e RSFJ-së. Keqpërdorimi që Serbia i bën minoritetit serb në Kosovë dhe Bosnjë, si mjet presioni për kërkimin e koncesioneve, instalimin e influencës ruse në këtë hapësirë dhe marrëdhëniet që po synon të ndërtojë me Kinën, synojnë prishjen e ekuilibrave politikë dhe strategjikë në Ballkan, që në fakt do të jenë kërcënim jo vetëm për Ballkanin, por edhe më gjerë”, tha në fund Fatmir Arifi, krytar i Lëvizjes për Integrim të Luginës së Preshevës.