Trajneri i skuadrës gjilanase, SC Gjilani, Ardian Nuhiu është paraqitur para mediave në prag të sfidës kampionale ndaj FC Suhareka ’23, duke folur në lidhje me përgatitjet e kësaj ndeshje.
Shefi i shtabit potencoi se ndeshja nuk do të jetë e lehtë, pasi që oponenti i së shtunës është sfidues dhe ambicioz, mirëpo ajo se çfarë u intereson grupit është vetëm maksimumi i pikëve.
“Përballë kemi një ekip që ka ambicie të larta dhe mbi të gjitha që në radhët e veta ka futbollist shumë cilësor. Kemi analizuar ekipin kundërshtar dhe do të mundohemi që t’i neutralizojmë pikat e tyre të forta dhe të ndëshkojmë aty ku qalojnë më shumë. Me përkushtim do t’i mbledhim të gjitha forcat që të reagojmë dhe të marrim maksimumin e pikëve, sepse është shumë i rëndësishëm për ekipin”, ka thënë Nuhiu.
Luhatja e formës?!
“Është e qartë që skuadra ka luhatje, gjë për të cilën jemi duke punuar në vazhdimësi. Pas dy paraqitjeve shumë të mira vijmë te një humbje në shtëpi, e cila erdhi si pasojë e moskoncentrimit në momente të caktuara. Kemi pësuar pasi që kemi patur iniciativën. Kemi krijuar duke mbajtur posedimin. Kemi rikthyer disa herë rezultatin, por nuk do të thotë ta rikthejmë gjithmonë, me këtë rast i bie që duhet të shtojmë më tepër përqendrimin për të mos pësuar”, ka thënë trajneri Ardian Nuhiu.
Përgjegjësia e rezultateve?!
“Ekipi po luan mirë dhe po më përgjigjet. Jemi të vetëdijshëm për luhatjet të cilat mund t’i kemi, pasi që është formuar një grup i ri. Një grup që dëshiron t’i shpreh vlerat nga dita në ditë. Kemi ndjerë dhimbje gjatë gjithë javës për ndeshjen të cilën e lëmë pas, këtë dhimbje do mundohemi ta kthejmë në motiv, të mobilizojmë forcat dhe ta fitojmë takimin”, ka thënë trajneri i SC Gjilanit.
Pranimi i golave?!
“Është faktike që kemi pësuar shumë, por edhe kemi shënuar shumë. Puna ynë është të marrim masa dhe të përmirësohemi aty ku kemi nevojë, por e rëndësishme është që ekipi po krijon dhe po shënon në secilën ndeshje”, thotë tutje Nuhiu.
Ndryshimet nga ndeshja e parë me Suharekën ’23?!
“Kemi kërkuar nga ekipi që të përqendrohet maksimalisht dhe mos të pësojmë. Ndeshja e parë ndaj Suharekës ishte e hapur dhe kishim mundësinë për ta fituar, por ai karton i kuq në fundin e pjesës së parë ndryshoi gjërat. Jem i bindur që ndeshjen e nesërme do ta kontrollojmë dhe do të mobilizohemi në maksimum” ka thënë timonieri i SC Gjilanit.
Rezultatet çështje kohe?!
“Përgjegjësia është e imja, futbollistët nuk dua që t’i sulmoni. Janë zgjedhje e imja dhe ata bëjnë atë të cilën ua kërkoj unë. Nuk fshihem asnjëherë prapa përgjegjësive dhe nuk do ta bëj asnjëherë. Përderisa jam i bindur në punën të cilën e bëjmë, besojmë shumë që çështja e rezultateve është vetëm çështje kohe kur do të vijnë”, ka thënë trajneri i SC Gjilani, Ardian Nuhiu.
Ballafaqimi ndërmjet Gjilanit dhe Suharekës zhvillohet të shtunën në stadiumin ndihmës në Gjilan me fillim nga ora 13:00. /2LONLINE/