Trajneri i SC Gjilanit, Ardian Nuhiu ka bërë thirrje për kujdes ndaj Dukagjinit, teksa ka vlerësuar paraqitjet e futbollistëve në tij në dy përballjet e fundit, në konferencën për shtyp para mediave.
Kryetrajneri i skuadrës kuq e bardh ka potencuar që në ndeshjen e radhës është e rëndësishme për t’u ruajtur vazhdimësia dhe për të dëshmuar që paraqitjet e mira nuk janë rastësi.
“Vlerësim maksimal për kundërshtarin e radhës sepse kanë bërë mjaft mirë në tri ndeshjet e fundit. Kjo flet mjaftueshëm se sa me përqendrim duhet ta trajtojmë ndeshjen. Ekipi më ka pëlqyer në dy ndeshjet e fundit se si ka performuar dhe mënyrën se si ka krijuar. Pa diskutim, kërkoj vazhdimësinë dhe përmirësimin e gjërave. Këto dy ndeshje kanë shtuar besimin te grupi, por dueli i nesërm kërkon përgjegjësi të reja dhe angazhim maksimal për ta fituar takimin”, ka thënë Nuhiu.
Performanca e skuadrës në dy ndeshjet e fundit?!
“Mua më kënaq mënyra se si ka luajtur skuadra, përveç pikëve të cilat i kemi arkëtuar. Këto ndeshje na bëjnë të besojmë fuqishëm që jemi në rrugën e duhur”, ka thënë trajneri i Gjilanit.
Ndryshimi nga përballja e fundit me Dukagjinin?
“Kemi filluar t’i menaxhojmë situatat më mirë. Nëse shënojmë, përveçse duhet menaxhojmë, duhet të përpiqemi të shënojmë sërish. Nuk do të jetë e lehtë, pasi që edhe kundërshtari është në formë të mirë”, ka thënë Nuhiu.
Koha për ekipin?!
“Lojtarët kanë filluar të kuptohen më mirë, të njohin njëri tjetrin më mirë. Kjo është ajo që e bën një Gjilan më të fortë, më kërkues dhe më të vendosur për ta fituar. Padyshim kemi akoma gjëra për të bërë, kemi akoma gjëra për t’i përmirësuar. Atje ku duhet ta shohim Gjilanin, do ta shohim në fundin e kampionatit, tani nuk e shikojmë fare renditjen tabelare. E rëndësishme për momentin është të kemi vazhdimësinë”, ka thënë trajneri i SC Gjilanit, Ardian Nuhiu.
Grupi i gatshëm për ndeshjen?
“Për trajnerin të gjithë futbollistët janë titullar. “Kemi patur orar të ngjeshur dhe jemi munduar ta menaxhojmë forcën për gjithësecilin futbollist. Për duelin e nesërm të gjithë futbollistët janë të gatshëm”.
Përballja Gjilani – Dukagjinin do të jetë të shtunën me fillim nga ora 13:00 në stadiumin ndihmës në Gjilan. /2LONLINE/